Urdhri i Stomatologëve propozim Manastirliut: Të hapen klinikat dentare më 4 maj vetëm për urgjencat
Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë ka zhvilluar një mbledhje në të cilën ka vendosur ti propozojë Ministrisë së Shëndetësisë që të hapen më 4 maj klinikat dentare me kushtin që të kryhen vetëm urgjencat si dhe shërbimet specifike të cilat rrezikojnë minimalisht përhapjen e COVID-19.
Urdhri i Stomatologëve thekson se situata e pandemisë në Shqipëri dhe mbyllja e klinikave dentare ka sjellë pasoja ekonomike dhe ka vështirësuar mjekimin e pacientëve dhe në veçanti Ortodoncinë tek moshat e reja.
“Pjesa dërrmuese e dentistrisë i përket brezit të ri deri ne 40 vjeçar, brez i cili sapo ka krijuar familje dhe me kredi financiare në shuma të mëdha në sistemin bankar”, shkruhet në reagimin e Urdhrit të Stomatologëve.
Propozimi për të hapur klinikat dentare në 4 maj, sipas Urdhrit të stomatologëve mund të bëhet vetëm për disa kategori dhe duke respektuar një protokoll sigurie strikte sipas OBSH-së dhe rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ditën e sotme, kryeministri Rama njoftoi lehtësimin e masave ku klinikat dentare do të hapen në datën 11 maj por me kushtin që situata e pandemisë të mos përkeqësohet më vonë.
Postimi i plotë:
Në kushtet kur Qeveria Shqiptare ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme “Për fatkeqësi natyrore” si pasojë e kushteve të Pandemisë botërore Covid-19 të shpallur nga O.B.SH.,
– Në zbatim të ligjit 127.02.10.2014, neni 7, pika 1,4
– Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë zhvilloi mbledhjen online, ditën e premte, më dt.1.Maj 2020, ora 10.00. dhe i propozoi Ministrit të Shëndetësisë, Znj.Ogerta Manastirliu:
Propozim
Në zbatim të ligjit 127, dt.02.10.2014, neni 7 pika1,4, Këshilli Kombëtar i U.S.SH. i propozon Ministrit të Shëndetësisë, Znj.Ogerta Manastirliu, të hapë klinikat dentare më datën 4 Maj 2020 për të kryer vetëm urgjencat dentare si dhe shërbimet specifike dentare që rrezikojnë minimalisht kontaminimin e dentistit me virusin Covid-19.
Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë, në përgjigje të shqetësimit të jashtëzakonshëm të të gjithë stomatologëve në vendin tonë për ecurinë e shërbimit dentar në kushtet e pandemisë Covid -19, ideoi mbledhjen e këshillave rajonalë për të dhënë mendim mbi ecurinë e mëtejshme të shërbimit dentar në kushtet e Covid -19.
Këshilli Kombëtar, i thirrur posaçërisht për këtë shqetësim të jashtëzakonshëm të stomatologëve, diskutoi dhe mori mendimet e secilit anëtar me email të veçantë mbi çështjen: Dentistria në kushtet e Covid-19 dhe e ardhmja e këtij shërbimi tepër të kërkuar nga qytetari shqiptar.
Pas një diskutimi nga të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar, u konkludua që të hidhet në votë propozimi i anëtares së Këshillit Kombëtar, Prof.Dr.Rozarka Budina.
Këshilli Kombëtar i U.S.SH. i propozon Ministrit të Shëndetësisë të hapë klinikat dentare më datën 4 Maj 2020 për të kryer vetëm urgjencat dentare si dhe shërbimet dentare që rrezikojnë minimalisht kontaminimin e dentistit me virusin Covid-19. Pacienti është tepër i garantuar në klinikat dentare edhe për të gjitha sëmundjet e tjera infektive që janë shumë më kontagjoze dhe rezistente sesa Covid-19. Klinikat dentare të hapen ose të shërbëjnë vetëm ato që garantojnë standardin e një protokolli të miratuar nga O.B.SH. dhe direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë për kushtet e pandemisë.
U.S.SH. mendon, që impakti i mbajtjes mbyllur të klinikave dentare është multidimensional e tepër me pasoja për rëndimin e shëndetit të qytetarëve dhe ekonominë e dentistëve me investime me kosto tepër të lartë për të garantuar standarde të barbarta me homologët europianë. Pjesa dërrmuese e dentistrisë i përket brezit të ri deri ne 40 vjeçar, brez i cili sapo ka krijuar familje dhe me kredi financare në shuma të mëdha në sistemin bankar.
Mbajtja mbyllur e klinikave dentare, gjithashtu ndikon drejtpërdrejt në disa shërbime dentare tepër specifike që me kalimin e kohës bëhen vështirë të mjekueshme për pacientin, në veçanti Ortodoncia te moshat e reja.
Mjeku stomatolog ka obligim nga betimi i tij i Hypocratit për të dhënë ndihmesën e shërbimin mjekësor në çdo situatë e moment qoftë edhe duke vënë në rrezik shëndetin e tij personal si të gjithë specialitetet e tjera në mjekësi. U.S.SH. është e përkushtuar maksimalisht për bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë në këtë periudhë tepër të pazakontë e të vështirë për të gjithë sistemin shëndetësor.
Hapja e shërbimit dentar do të këtë impakt tepër pozitiv multidimensional në këtë krizë panëshoqërore. Në vendin tonë ushtrojnë profesionin e stomatologut, rreth 2700 stomatologë të liçensuar të cilët presin me ankth të jashtëzakonshëm një Urdhër nga Ministri i Shëndetësisë për hapjen e klinikave dentare.
Më poshtë po ju paraqesim propozimin e Prof.Dr.Rozarka Budina, anëtare e Këshillit Kombëtar të U.S.SH.:
Mbi hapjen e klinikave dentare në situatën e pandemisë COVID-19.
Siç e dimë që nga data 12 Mars 2020, klinikat dentare në vendin tonë u mbyllën me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në përgjigjë të masave për kufizimin e përhapjes së sëmundjes COVID -19 dhe mbrojtjes së popullatës dhe stafit të klinikave dentare në vendin tonë. Ky ishte një vendim i drejtë pasi që jemi ndër profesionet më të rrezikuara nga COVID -19.
Nga eksperienca e vendeve europiane klinikat dentare që nga dt 16 Mars 2020 me rekomandim të organizmave dentare janë lejuar të trajtojnë vetëm rastet emergjente.
Sot në datë 30 Prill 2020 për shkak të shtyrjes së procedurave me gati 8 jave, të gjithë jemi koshientë që, pavarësisht punës së realizuar me emergjencat dentare në KSU, problemet e popullatës në lidhje me shëndetin e gojës jo vetem nuk janë zgjidhur por janë shtuar dhe komplikuar.
Është thelbësore që klinikat dentare të qëndrojnë të hapura për të ofruar kujdes për emergjencat sepse ndihmon në zbutjen e barrës së personave me çështje dentare që shkojnë drejt urgjencës spitalore dhe që janë të mbingarkuar me COVID -19.
Për sa më sipër rekomandoj që të bëhet rihapja e klinikave dentare në të gjithë vendin në dt. 4 Maj 2020 brenda fashës orare të lejuar nga Qeveria, si fillim vetëm për procedurat emergjente për një periudhë të pacaktuar dhe pastaj në varësi të situatës së COVID-19 të vlerësohet një rihapje e plotë e shërbimit duke ndjekur dhe përvojën europiane.
Më poshtë rekomandoj që:
Ҫdo klinikë duhet të afishojë në ambjentet e saj listën e trajtimeve si emergjenca dentare dhe pacientëve që mund të paraqiten në klinikat dentare për mjekim.
Lista e emergjencave dentare:
• Dhimbje shumë e fortë dhëmbi nga inflamacionet pulpare dhe periapikale;
• Dhimbje nga dalja me vështirësi e dhëmballës së pjekurisë;
• Dhimbje të forta pas heqjes së dhëmbëve (alveolit);
• Absces të shoqëruar me enjtje dhe dhimbje;
• Frakturë dhëmbi e shoqëruar me dhimbje;
• Trauma dentare të shoqëruara me luksacion /avulsion;
• Mbyllje apo ngjitje provizore në rastet e rënies së mbushjeve apo protezave fikse.
Lista e informacionit që duhet të deklarojnë pacientet me telefon para se të paraqiten në klinikat dentare:
1. Nëse kanë temperaturë, kollë ose sëmundje respiratore akute;
2. Nëse kanë pasur kontakte të afërta me persona të konfirmuar me COVID -19 në dy javët e fundit.
Disa këshilla për rifillimin e punës në klinikat dentare në situatën COVID-19:
1. Të mos përdoret ambienti i pritjes së pacientëve për të evituar grumbullimet;
2. Pacienti të udhëzohet të vijë vetëm, pa shoqërues dhe në orarin e caktuar. Të jetë i pajisur me maskë, dorezat t’i veshë në kohën që hyn në klinikë;
3. Fëmijët të shoqërohen vetëm nga një prind;
4. Pacienti kur të futet në klinikë duhet të shoqërohet nga një person i stafit për ta udhëzuar ku të lërë sendet personale, të jetë i pajisur me maskë dhe doreza dhe të ulet në poltron pa prekur asgjë. I jepet të shplajë gojën me një dezinfektant;
5. Mjeku dhe stafi lajnë duart, veshin dorezat, maskat e përparëse një përdorimshe;
6. Pas procedurës pacienti rivendos maskën, merr sendet personale dhe largohet pa prekur dyert etj.
7. Stafi kujdeset për dezinfektimin e unitit : ndërrohet mbulesa ku vendoset koka, dezinfektohen pjesët e panelit të përdorura gjatë procedurës (anglat, pompa ujë- ajër, dorezat e reflektorit, vishen me letër celofani, pastrohet dezinfektohet peshtymorja).
Fraksion.com