Çdo ditë pranë të prekurve me COVID-19; Mjekja e infektivit tregon çfarë ndodh brenda spitalit
Pas identifikimit të rastit të parë me COVID-19 në vendin tonë jeta ka ndryshuar për të gjithë.
Megjithatë, më të vështirë e kanë mjekët dhe imfermierët, të cilët qëndrojnë në frontin e parë të luftës.
Ata përballen me çdo rast të infektuarish me koronavirus dhe përballen me një frikë të madhe.
Esi Duka është një prej tyre dhe ajo ka treguar me detaje se si është një ditë e saj në Spitalin Infektiv.
Në një intervistë për “ReportTV” ajo ka treguar për çdo gjë që ndodh brenda spitalit dhe se si ka ndryshuar jeta e saj në javët e fundit.
“Dita fillon qe ne 8 me mbledhje me stafin, diskutojmëme raste e hospitalizura dhe problematikat, më pas shpërndahemi në katet përkatëse me veshjet dhe shohim të sëmurët, nga mëngjesi deri kur ikim i dedikohet pacientëve. Përballja me një situatë të tillë nuk është aspak e lehtë, një virus që nuk dihet asgjë. Edhe pse kemi veshjet përkatëse nuk jemi 100% të mbrojtur. Mjeku duhet ti shërbejë pacientit në çdo kohë. Jam vajzë mjekesh dhe jam rritur me frymën që mjeku është në shërbim të pacientëve. Kam mamanë në shtëpi që nuk ka pranuar që të largohet dhe ka qëndruar me mua. Të dyja i jemi përkushtuar punës me mish e me shpirt. Frika ka qenë dhe rreziku ishte për të mos infektuar pjesëtarët e familjes dhe jam treguar shume e kujdesshme. Rutina jone e përditshme ka ndryshuar tashmë kjo është kthyer rutina jonë e re. Fillojmë në 8:00 të mëngjesit mund të rrimë deri vonë, por jemi në gatishmëri maksimalë në çdo orë të ditës dhe të natës. Përballja me rastet e para aspak e lehte, një situatë e pazakontë, para se te ndodhte pandemia në vendin tonë kishim marrë masa dhe bëmë trajnime. Kam qenë ndër mjeket e fillimit qe kam pritur rastet e para dhe jam ekspozuar që në fillim me raste që janë hospitalizuar në shërbimin tonë”, shprehet Esi.
Ajo thotë se e ka më të vështirë situatën, kur sheh se pacientëve u duhet të qëndrojnë pa të afërmit e tyre.
“Situata në spital ka qenë më e qetë kemi numër të reduktuar rastesh, ka raste të ndryshme, por përkujdesi ndaj tyre është maksimal. Megjithëse jemi të veshur dhe pacienti nuk na sheh në sy, jemi munduar të krijojmë lidhje me të gjithë, ata vërtet nuk na njohin nga pamja por na njohin nga sytë. Mundohemi maksimalisht që ta ruajmë lidhje mes mjekut dhe pacientit, të japim një frymë pozitiviteti që çdo gjë do shkojë më mirë, që t’i qëndrojmë sa më afër në këto kushte kur nuk është mundësia që askush ti qendrojë afër. Ne jemi një staf që mundohemi të kemi lidhje të mira, lidhje e forte gjatë kësaj periudhe dhe jemi munduar t’i japim kurajo njëri-tjetrit”, tha ajo.
Ajo thotë se e gjithë puna në fund ka një shpërblim, pasi nuk ka lumturi më të madhe se sa të shohësh pacientë të shëruar që dalin nga spitali me këmbët e tyre.
“Kemi numër të madh pacientesh që kanë lënë spitalin, gjëja më e mrekullueshme për mjekun, vetëm një mjek arrin ta kuptojë sa mrekulli është që një paciente të dali me këmbët e veta nga spitali, nuk gjejë fjalë ta përshkruaj sa shumë të mrekulluar jemi kur pacientët shërohen”, shtoi Esi.
E ka shumë pranë vetes por nuk mund ta përqafojë njeriun më të dashur që me një buzëqeshje i heq si me magji të gjithë lodhjen e një dite pune të stërgjatur.
“Kam një mbese që jeton një kat poshtë shtëpisë sime, e kam pik të dobët, është 10 vjece, e takoj në distancë, më tepër komunikojmë me video. Më ka marrë malli shume, kur e takoj ajo do që të vij të më hidhet të më përqafoj, por i them jo zemër, është e dhimbshme, por janë gjëra për të mirën tonë, jo vetëm të të mbesës sime po për të gjithë. Mundohemi maksimalisht edhe në shtëpi të respektojmë rregullat”.
“Ne sigurisht do ia ndalim mbanë unë jam e sigurt dhe e bindur që do ia dalim kësaj beteje të gjithë së bashku”.
Fraksion.com