AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi dekreton Avdullah Hotin për pozitën e kryeministrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.

“Në ditët në vijim, një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e kuvendit dhe zotimi që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, theksoi Thaçi.

Ai tha se të gjithë duhet të pajtohen me procedurat ligjore e kushtetuese dhe askush “nuk mund të pretendojë që me metoda jodemokratike mund ta marrë, ta mbajë apo uzurpojë pushtetin”.

Me gjithë vërejtjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se mandatimi i një kandidati nga një parti që nuk i takon partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje përbën shkelje kushtetuese, Thaçi tha se ai ka marrë një vendim në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në dy-tri raste ka deklaruar se sapo ta ketë në dorë shkresën zyrtare apo dekretin e presidentit, ai me ekipin e tij ligjor, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se presidenti po e shkel Kushtetutën duke ia ofruar mandatin LDK-së për formimin e qeverisë dhe anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Sapo ka pranuar dekretin e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit Arben Gashi, ka deponuar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të shtunën, në ora 13:00, me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e qeverisë së re.

Koalicioni i ri që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në përbërje ka edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Social Demokrate, Aleancën Kosova e RE, Listën Serbe dhe partitë nga pakicat joserbe.

Më 22 prill, presidenti Hashim Thaçi kishte konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së.

Ndryshe, përderisa përplasjet rreth procedurave kushteuese vazhdojnë, gjatë ditës, Lidhja Demokratik e Kosovës ka finalizuar edhe disa marrëveshje me disa parti më të vogla, në përpjekje përmbylljes së procesit të formimit të qeverisë së re brenda pak ditësh në kuvend.

Pas marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën Serbe, LDK i përmbylli me marrëveshje edhe negociatat për koalicion me Nismën Socialdemokrate.

Bazuar në këtë marrëveshje, Nisma Socialdemokrate do të ketë një post të zëvendëskryeministrit si dhe dy poste ministrore. Marrëveshjen e ka konfirmuar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili tha se me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri me funksione të plota.

“Kosova ka nevojë për një qeveri që e mbikëqyrë dhe i përgjigjet kuvendit, një qeveri që mund të funksionojë sipas ligjeve”, tha Limaj.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se pa përmbylljen e marrëveshjeve me të gjitha partitë që synohet formimi i qeverisë, nuk do t’i dërgohet për mandatim presidentit të Kosovës emri i Avdullah Hotit, kandidatit të LDK-së për kryeministër.

“Varet prej asaj se si përmbyllet. Nuk mund të them tash asgjë sepse Hoti i ka drejtuar negociatat. Në momentin që përmbyllet, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e prezantojmë marrëveshjen”, tha Mustafa.

Synimi i LDK-së është që shumë shpejt t’i përmbyllë negociatat edhe me partitë nga radhët e komuniteteve joserbe.

Kurse mbetet ende në dilemë çështja e negociatave me Aleancën Kosova e Re, për faktin se lideri i saj, Behgjet Pacolli ndodhet jashtë Kosovës. Mustafa tha se në momentin që vendoset një komunikim më i mirë me Pacollin, mund të pritet finalizimi i marrëveshjes edhe me këtë parti politike.

“Sa i përket AKR-së, ne jemi marrë vesh që do ta kenë vendin e vet në qeveri, meqenëse Pacolli nuk është i qasshëm, nuk kemi arritur të ulemi, por kemi komunikuar me të. Mbetet më vonë ta zgjedhim këtë me të, edhe sa i përket ministrisë që ata e kërkojnë”, tha Mustafa.

Të mërkurën LDK-ja finalizoi marrëveshjen me AAK-në e Ramush Haradinajt. Bazuar në atë marrëveshje, AAK merr një pozitë të zëvendëskryeministrit të parë në qeveri si dhe katër poste ministrore.

Po ashtu, edhe në bazë të marrëveshjes me Listën Serbe, kjo e fundit merr një post të zëvendëskryeministrit dhe dy poste ministrore.

LDK, ndërkaq deri më tani ka konfirmuar se përveç pozitës së kryeministrit, do të ketë edhe një pozitë të zëvendëskryeministrit dhe shtatë pozita të ministrave.

Mbetet të shihet ndërkaq se sa ministri dhe çfarë pozita do t’u ndahen AKR-së dhe pakicave joserbe.

Marrë parasysh faktin se procesi i formimit të qeverisë duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, kryetarja e këtij institucioni, Vjosa Osmani ka biseduar në lidhje me këtë çështje dhe problematikën e zbatimit të kushtetutshmërisë me ambasadorët e pesë vendeve të Quint-it dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë.

“Osmani i informoi ata për hapat që do t’i ndërmarrë ajo si kryetare e kuvendit për mbrojtjen e integritetit institucional të kuvendit, mbrojtjen e stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetutshmërinë e veprimeve të institucioneve”, thuhet në një komunikatën të lëshuar nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës.

Për zgjedhjen e qeverisë, nevojiten të paktën 61 vota për të deputetëve. Aktualisht, LDK besohet se nuk mund të llogarisë në 24 votat e Partisë Demokratike të Kosovës, në 30 votat e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe në një votë nga Partia e Re Demokratike nga komuniteti boshnjak./REL

 

Fraksion.com