“Rihapje e kujdesshme”; Manastirliu: Jemi ende në fazë aktive të epidemisë
Minsitrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot në Kuvend se “jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, ku aktualisht kemi 272 persona aktivë të prekur nga COVID-19 dhe po bëhet një punë shumë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioni”.
Manastirliu tha se “do të tregohemi shumë të kujdesshëm për fazat e rihapjes”. “Jemi drejt një strategjie rihapje por jemi duke u treguar shumë të kujdesshëm. Duhet të vijojnë të respektohen masat e distancimit fizik, të cilat deri më sot kanë dhënë rezultat për të mos pasur një incidencë të lartë”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se “strategjia r rihapjes është konsultuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, por ne duhet të tregohemi akoma më shumë të kujdesshëm, nuk duhet të ulim në asnjë moment masat e distancimit social”.
Ministrja e Shëndetësisë tha se janë 773 raste pozitive me COVID-19, prej tyre 60% janë të shëruar.
Manastirliu tha se “470 persona rezultojnë të shëruar, por jemi ende në një fazë aktive të epidemisë edhe pse jemi duke bërë ato përpjekje madhore lidhur me hetimin agresiv kudo ku ka vatra të hapura të epidemisë”.
“Sot konstatojmë shpërthime në vatra familjare, janë më shumë se 100 vatra dhe po bëhet një punë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Është një punë shumë e madhe që po bëhet nga mjekët, infermierët, epidemiologët në terren”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha në Kuvend se hapja e një seri biznesesh në fillimin e kësaj jave është pjesë e strategjisë së rihapjes, për të vlerësuar situatën për dy javët që pasojnë.
“Masat e distancimit social deri më sot kanë dhënë rezultatet e tyre për të mos pasur incidencë të lartë të sëmundjes sidomos në grupet e riskuara. Fatmirësisht nga gjithë kjo fazë e parë e kalimit të epidemisë, ende nuk kemi arritur në fund të saj, por për sa i përket mbrojtjes së grupeve të riskuara kemi bërë një përpjeke maksimale për të mos pasur afektim si për të moshuarit, grupet vulnerabël në qendrat e përkujdesit social dhe atyre që janë në frontin e parë të luftës, mjekët e infermierët dhe të gjithë ata që ofrojnë shërbime për qytetarët në këto momente”, tha ajo.
Ajo theksoi se “në territor po bëjmë një hetim, një gjurmim epidemiologjik i cili po bëhet pa ndërprerje në 24 orë të ditës që të kemi mundësi të ndërpresim zinxhirin e infeksionit, duke izoluar sa më shumë kontakte të mundshme”.
“Kjo është një punë shumë e madhe që ndoshta nuk shquhet nga të tërë por puna që po bën gjithë sistemi epidemiologjik parësor në ndjekjen e rasteve aktive dhe gjithashtu në frontin e parë në spitalin COVID, është një punë fantastike”, tha ajo.
Fraksion.com