AktualitetPolitikëTë fundit

“Mos luani me zjarrin që mund t’ju djegë”; Rama: Masat e marra, strategjia e luftës dhe taktika e veprimeve na sollën deri këtu

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se falë strategjisë së ndjekur për frenimin e përhapjes së COVID-19, Shqipëria rezulton si vendi me numrin më të ulët të të vdekurve për 1 milion banorë në rajon, por edhe në Europë.

“Ndërkohë që ne po hapemi, shqetësues është fakti që flitet pa lidhje, duket sikur flitet nga hëna, ku mirë nuk do të besosh qeverinë apo nuk do të shohësh kryeministrin, por mjafton të shikosh se ç’bëhet në botë“, tha Kryeministri Edi Rama gjatë një videomesazhi që përcolli mbrëmjen e sotme.

Këto qëndrime, tha Kryeministri, janë pa lidhje nëse iu referohemi rezultateve që kemi arritur.

“Jemi vendi me numrin më të ulët të vdekjeve për 1 milion banorë në rajonin tonë, madje edhe në Europë, vendi me numrin më të ulët të shtretërve të zënë në spitalet COVID, si dhe vendi me numrin më të ulët të përdorimit të respiratorëve”, deklaroi Kryeministri.

“Vendi me numrin më të ulet të vdekjeve për 1 milionë banorë në rajon e madje edhe në Europë: Shqipëria! Vendi me numrin më të ulët të shtretërve të zënë në spitalet Covid: Shqipëria! Vendi me numrin më të ulët të përdorimit te respiratorëve: Shqipëria! Tani si mendoni ju qe shani e mallkoni papushim, s’kanë lidhje këto rezultate me gjithçka kemi bërë, pikërisht me këto masa që kemi marrë e me hapat e hedhur deri këtu, në kohën e duhur dhe me gjatësinë e duhur, pa shkelur në asnjë moment në dërrasë të kalbur?! Apo mendoni se Covidi i ka marrë me të mirë shqiptarët ose kushedi, i ka frikë se janë trima e ta japin në lule të ballit po u dole përpara?. Jo mor miq, janë pikërisht masat që kemi marrë, është pikërisht strategjia e kësaj lute dhe taktika e veprimeve të çdo jave që kemi ndërmarrë që na kanë sjellë deri këtu – falë natyrisht shumicës dërrmuese të njerëzve të këtij vendi, që sytë i përdorin për të parë, veshët i përdorin për të dëgjuar, mendjen e kanë në punë jo në hava dhe e kanë mbështetur plotësisht strategjinë me sjelljen e tyre super të përgjegjshme, super qytetare”, tha Rama.

Ai apeloi qytetarët që të “mos luajnë me zjarrin që mund t’ju djegë ju, njerëzit tuaj më të dashur dhe vetë Shqipërinë, siç dogji e po djeg nga ato vende të cilët janë pakrahasimisht më të forta se ne”.

Kreu i qeverisë, tha se këto rezultate lidhen me gjithçka kemi bërë deri tani.

“Masat që kemi marrë, hapat që kemi hedhur deri tani, në kohën e duhur dhe gjatësinë e duhur, pa shkelur në asnjë moment në asnjë dërrasë të kalbur, strategjia e kësaj lufte dhe taktika e veprimeve të çdo jave që kemi ndërmarrë, na kanë sjellë deri këtu. Falë edhe shumicës dërrmuese të njerëzve të këtij vendi që e kanë mbështetur plotësisht strategjinë me sjelljen e tyre super të përgjegjshme e qytetare”, deklaroi Kryeministri.

“Nëse i kemi mirë këto tre rezultate, kjo s’duhet të na bëjë të harrojmë se “armiku i padukshëm nuk ka ikur. Virusi është këtu, është rrotull nesh”, u shpreh Rama.

Deri kur të dalë vaksina, vuri në dukje Kryeministri, ky virus do të jetë vërdallë dhe ne duhet të ndryshojmë të gjithë, pa përjashtim qasje, sjellje, mënyrë të menduari e të organizuari të jetës sonë të përditshme.

“Harrojeni se më pëlqen e më vjen për mbarë t’ju tregoj kufijtë e lëvizjes, t’ju informoj se ndaloheni të lëvizni, t’ju flas përditë e përditë për pse-në e gjithë këtij deformimi të lirive e të të drejtave tuaja. Përkundrazi, jam në periudhën më të vështirë të jetës sime politike dhe përballë vendimeve më të vështira që duhet të marr”, u shpreh Rama.

Shumëkujt ndër ju, vijoi ai, i duket se të qeverisësh është të jetosh rehat e të pasurohesh. “Por jo, aspak, të qeverisësh është të rrish pa gjumë e siç thoshte Fransua Miterani: “të jesh vetëm në majë, ku fryjnë erërat nga të gjitha anët”. Nuk po ju qahem, e kam nder e pasion këtë punë, po aq gabim jeni, sa ju siguroj që nëse do më thoshin “ik sot nga kjo zyrë e mos u merr më kurrë me politikë, sepse kjo e zhduk COVID-in nesër”, sot do ju thosha me lumturinë më të madhe po iki”, tha Kryeministri.

Rama tha se po bënte më të mirën, kjo falë edhe një skuadre që është shumë e angazhuar.

“Unë po bëj më të mirën time dhe falë një skuadre që shajeni sa të doni po bën më të mirën e vet, sot Shqipëria ka bërë më të mirën e mundshme në këtë luftë! Ju lutem të mos e bëjmë si lopa, tani që po hapemi, nëse ju nuk vazhdoni të jeni roje të vetes e të familjes, unë nuk do mundem t’ju mbroj dot me jetën e shëndetin si deri sot”, tha Rama.

 

Fraksion.com