AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë, rritet në 806 numri i të infektuarve me COVID-19

Të enjten në Kosovë janë bërë 243 testime për koronavirusin e ri.

Sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, nga këto testime kanë dalë 7 persona pozitiv me koronavirus.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 806.

Vitia ka njoftuar se ekipet mjekësore kanë konfirmuar shërimin edhe të 22 personave që kanë qenë të sëmurë me COVID-19.

“Dita e katërt me radhë që i kemi këto rezultate pozitive të cilat lidhen me punën, angazhimin dhe respektimin e rregullave”, ka shkruar Vitia në rrjetin social Facebook.

Që nga shpërthimi i pandemisë, numri i të shëruarve ka arritur në 271.

Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 22 pacientë.

Më herët, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave, sipas tij, do të zhvillohet në 3 faza.

Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Masat do të lehtësohen, ka thënë Vitia varësisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com