AktualitetBota+Të fundit

Gjermania lehtëson masat; Merkel paralajmëron për rrezikun

Gjermania do të rihapë këndet e lojërave, muzetë dhe kishat nga e hëna, ndërkohë që gjatë fundjavës u rihapën dyqanet e vogla. Brenda disa ditësh do të vendoset për shkollat dhe aktivitetet sportive ndërsa do të vazhdohet me lehtësimin e masave ndaluese.

Por, Kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se ekziston rreziku për të shkaktuar ringjalljen e koronavirusit nëse njerëzit bëhen të pakujdesshëm dhe harrojnë distancimin shoqëror.

Duhet të punojmë për t’u siguruar që të ulim numrin e infeksioneve të reja“, tha Kancelarja Merkel. “Nëse kurba e infeksionit bëhet përsëri e pjerrët, duhet të kemi një sistem paralajmërimi për ta pikasur atë herët dhe të jemi kështu në gjendje të veprojmë“.

Gjermania i ka rezistuar pandemisë më mirë se Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Italia, pjesërisht falë testimit të përhapur për virusin, një sistemi të shkëlqyer të kujdesit shëndetësor dhe masave të rrepta të bllokimit të futura në mes të marsit.

Konservatorët dhe partnerët e tyre të koalicionit Social Demokrat (SPD) kanë kaluar gjithashtu një paketë shpëtimi prej 750 miliardë eurosh (820 miliardë dollarë) për të lehtësuar ndikimin ekonomik të krizës.

Udhëheqja e saj me mendje të ftohtë, strategjia e qartë dhe e qetë e komunikimit, përqafimi i fakteve shkencore dhe thirrjet për unitet në luftimin e virusit e kanë rritur mbështetjen për partinë e saj konservatore në një nivel të lartë trevjeçar prej gati 40%.

Shefi i saj i personelit Helge Braun tha se masat për distancimin shoqëror – kërkesa për të veshur maska për fytyrën gjatë blerjes dhe transportit publik dhe qëndrimi të paktën 1.5 metra nga njerëzit e tjerë – do të mbeten në fuqi deri të paktën më 10 maj.

Ai shtoi se çdo lehtësim i mëtejshëm do të varet nëse shkalla e infeksionit mbetet e ulët.

16 landet federale të Gjermanisë po punojnë gjithashtu për një plan për rihapjen e bareve dhe restoranteve dhe lejimin e ndonjë sporti.

Por, Merkel tha se ngjarje më të mëdha si koncerte dhe ngjarje të mëdha sportive nuk do të mund të ndodhnin përpara 31 gushtit.

Perspektiva e kthimit në një lloj normaliteti është bërë e mundur nga një rënie e numrit të infeksioneve në vetëm 1.500 në ditë, krahasuar me më shumë se 6.000 në kulmin e tij në fillim të prillit.

Ndërsa Gjermania ka numrin e gjashtë më të lartë të infeksioneve të konfirmuara, në mbi 162.000, në një nivel me Francën dhe Britaninë, ajo ka regjistruar rreth një çerek të vdekjeve të tyre, në pak më shumë se 6.500.

 

Fraksion.com