AktualitetPolitikëTë fundit

Ditmir Bushati kundër kontratës koncesionare tek Porto Romano: Të ndahemi me oligarkinë; Balla: E votove vetë 6 vite më parë

Me 89 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenim Kuvendi vendosi që të bënte një shtesë në kontratën koncesionare në Porto – Romano për kompaninë “porti MBM (MULTY BUOY MOORING)”. Por çfarë është konkretisht kjo shtesë? Kompania kërkoi që të shfrytëzojë 100% portin. Deri tani kompania shfrytëzonte pjesën veriore të portit për përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure, ndërkohë më ndryshimet që u miratuan kompania do të ketë të drejtë që të shfrytëzojë pjesën jugore të portit për transport mallrash.

Pra nga njëra anë hidrokarbure, ndërsa tashmë shtohet në anën jugore përpunimi i mjete lundruese që transportojnë mallra. Por sot në Kuvend kjo ka shkaktuar një polemikë mes shumicës qeverisëse. Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati doli kundër, duke kërkuar nga forca që bën pjesë që të ndahet nga oligarkia. Ai tha se kjo shtesë nuk është në interes të qytetarëve, pasi shërbimi po i merret portit të Durrësit dhe po i jepet privat.

“Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri, pa garë, pa procedurë dhe pa ligj. Në një situatë jashtëzakonisht të vështirë në të cilën po kalon vendi. Dhe unë dua ta filloj me një lutje në radhë të parë zoti Kryetar meqenëse jeni një deputet me shumë eksperiencë dhe shumë i matur në drejtimin e politikës shqiptare dhe Kuvendit. Jam 100% dakord me fjalën që ju mbajtët në fillim të kësaj seance ku thatë se ne nuk jemi zotër të këtij vendi dhe duhet të jemi të kujdesshëm me liritë politike dhe liritë ekonomike të qytetarëve që përfaqësojmë.

Në rast se do i qëndrojmë këtyre fjalëve do ju lutesha sot fillimisht që mos ta votojmë këtë kontratë, t’i japim kohë vetes, gjithë aktorëve shtetërorë për të bërë analizën më të mirë të mundshme sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forcë e qendrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër as si maxhorancë e as si Kuvend i Shqipërisë që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re. Ne nuk kemi asnjë tagër zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, për të marrim vendime për 30 vitet e ardhshme. Ne na duhet strategji zhvillimi për detin. Kujtoj vitin 2009, Konventën tonë programore si PS, kur Preç Zogaj, në atë kohë me ne, mbajti një zotim në emër të koalicionit tonë për të pasur një strategji për vijën bregdetare, sepse është pronë e përbashkët.

Në komunizëm deti ishte i pashfrytëzuar, sot jetojmë në kapitalizëm dhe duhet që të trajtohet si një pronë e përbashkët publike, ku çdokush duhet ta dijë çfarë ndodh me vijën bregdetare, sa porte mund të ndërtohen, çfarë cilësie do të kenë këto porte, me çfarë sigurie duhet të ekzistojnë e kështu me radhë.

Po kështu në këtë Kuvend kam folur disa herë për përqendrimin e pasurisë në një rreth vicioz njerëzish, dhe çfarë po synohet me këtë kontratë? Me këtë kontratë synohet që portit të hidrokarbureve ti ndryshohet në thelb objekti. Nuk ka nevojë të jesh prokuror, gjyqtar, avokat, jurist. Mjafton të kesh bërë leksionin numër një në të drejtë civile për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti. Ne këtu duhet të kishim një projekt fizibiliteti aq më tepër që këto shërbime i ofron porti i Durrësit.

Unë jam njeri që besoj te idealet e qendrës së majtë dhe e dua publiken. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe tia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taksa shqiptarët e zakonshëm këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati. Çfarë fiton shoqëria me këtë gjë?

Çfarë fitojnë fëmijët tanë me këtë gjë? Çfarë duam të bëjmë? Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu e Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga atje, shkon energjia, shkon uji?! Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelen çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por duhet të ndahemi me oligarkinë. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet. Nuk duhet të bëhemi si Partia Demokratike që ditën vajton dhe natën i shkel syrin oligarkëve duke i vënë gjoba.

Po nuk kemi pse ti japim bonus as Presidentit të Republikës që të dalë si garant i mbrojtjes së publikes. Interesin publik duhet ta mbrojmë ne zoti Kryetar. Ne jemi Partia Socialiste, ne jemi partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Jemi partia që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe kemi thënë që do i anulojmë koncesionet, kemi thënë që po keqpërdoret pasuria. Ilir Beqja shkruan e thotë kush jemi ne që po mbajmë peng të ardhmen e të rinjve. Atëherë ky është momenti për ta vërtetuar këtë kryetar. Për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar, ku në politikë njerëzit qëndrojnë vetëm për favore dhe ku oligarkët e shpërthejnë politikën”, deklaroi Bushati.

Ndërkohë që i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla i cili i kujtoi kolegut të grupit të tij se kur është votuar koncesioni para 6 viteve ka qenë pjesë e qeverisë dhe ka votuar pro tij.  “Një përgjigje për një kolegun tim, deputet të grupit parlamentar, që sot në mëngjes më kërkoi se donte të fliste për një çështje me rëndësi dhe mendova se do të fliste për çështje të integrimit europian. Kuvendi sot po shqyrton një shtesë në një kontratë të një koncesioni që ka rreth 6 vite që është miratuar nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi i Shqipërisë. Në atë kohë që është miratuar në atë kohë ka qenë në këtë sallë edhe opozita e vjetër dhe është votuar me konsensus nga i gjithë Kuvendi i Shqipërisë. Nuk besoj që në qeverinë ku ka qenë edhe kolegu im të ketë votuar kundër kolegu.

Unë nuk kam qenë ndonjëherë anëtar i qeverisë, kam qenë gjithmonë deputet i  PS-së dhe gjërat i shoh njëlloj sikur jam…, nuk dua të them atë që tha Grida Duma, sepse fjala e kolegut mu duk si fjala e Grida Dumës, i shoh gjërat mirë nga jashtë, por nuk më pëlqejnë nga brenda, prandaj dua të sqaroj se këtu kur vjen, ne duhet të japim shembullin se kur një investim privat ecën mirë dhe paguan taksat dhe ka nevojë të bëjë një ndryshim kontrate…

Kjo historia e diskutimeve patetike, gjoja në interesit të njerëzve, por është thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askujt. Shtesa e kontrata koncesionare në Porto Romano është një domosdoshmëri për ta çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet që bëjnë operatorë të ndryshëm. Historia që m’u në qendër të Durrësit shkarkohen kontenierë me qymyrë, krom dhe plehra nuk duhet të vazhdojë më”, tha ai./shqiptarja

 

Fraksion.com