Rama: Në 11 maj mund të kemi një lehtësim në korridoret ajrore dhe tokësore
Kryeministri Edi Rama informoi sot lidhur me procesin e hapjes së mëtejshme të korridoreve ajrore dhe tokësore, duke theksuar se në 11 maj mund të kemi një lehtësim në raport me domosdoshmërinë e karantinimit në hotel.
“Pas kësaj jave dhe javës në vijim do të bëjmë një analizë të thellë me ekspertët dhe Komitetin e Ekspertëve lidhur me procesin e hapjes së mëtejshme të korridoreve ajrore dhe tokësore. Në 11 maj mund të kemi një lehtësim në raport me domosdoshmërinë e karantinimit në hotel dhe sidoqoftë javën e ardhshme do të duhet të shikojmë me shumë kujdes të gjithë elementët që na duhen për të bërë një analizë të saktë”, tha Rama.
Në tërësi, Kryeministri theksoi se “do të vazhdojmë me këtë regjim”. Sa i përket korridoreve ajrore, ai theksoi se “është një korridor shumë i ngushtë ajror, nuk janë hapur fluturimet në tërësi, por lehtësimi do të vijë në proces”.
“Hapja do të vazhdojë me shumë kujdes, duhet të keni parasysh se çfarë ndodh rreth e rrotull. E gjithë bota është kështu. Jo më larg se sot pashë një deklarim shumë të fortë të drejtorit të Institut të Shëndetit Publik në Gjermani, që nënvizonte faktin se ka një rritje të numrit të të infektuarve në kushtet e rihapjes. Pashë listën e regjimit të ri të lehtësimit të deklaruar nga qeveria greke. Ju kujtoj se faktikisht në Greqi nuk lejohet lëvizja nga prefektura në prefekturë, pra brenda për brenda. Ndaj, para se të më kërkoni të hapen kufijtë, shikoni se çfarë ndodh në vendet e tjera, aty ku jeni dhe nga shkruani”, tha Rama.
Ai theksoi se “është mirë të bëjmë çmos, të bëjmë durim e të ruajmë qetësinë dhe të shohim që procesi po vazhdon duke përfituar nga fakti se jemi tërësisht të suksesshëm deri tani që flasim në frontin me armikun e padukshëm”. “Por gjithë kjo sakrificë mund të zhbëhet nëse nuk zbatojmë rregullat, ndaj do të vazhdojmë të hapemi me shumë kujdes”, tha Rama.
“Por në 11 maj nëse na jep mundësi dinamika e shifrave, flas për të shtruarit në spital, sa do të jenë të prekurit, nëse trendi do të jetë pozitiv, ne do të hapim më tutje korridorin e hapësirës tokësore dhe ajrore”, deklaroi Kryeministri.
Fraksion.com