AktualitetBota+Të fundit

Trump: E di si është Kim Jong Un-i, por s’mund të jap më shumë detaje

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se ai ka informacion rreth udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe se shpreson se ai është mirë me shëndet. Pohimi i zotit Trump vjen pas disa ditë spekulimesh lidhur me gjendjen shëndetësore të udhëheqësit të Phenianit, vendndodhen e tij dhe nëse ai ka kryer një operacion në zemër.

“Daily NK”, një faqe në internet me qendër në Seul, raportoi javën e kaluar se Kim Jong Un-i po merrte veten pasi i ishte nënshtruar një procedure kardiovaskulare më 12 prill, duke përmendur një burim të paidentifikuar në Korenë e Veriut. Por agjencia e lajmeve “Reuters” nuk arriti ta konfirmojë një lajm të tillë.

Një tren special, që sipas të gjitha gjasave i përket udhëheqësit të Phenianit, u pa javën e kaluar në qytetin turistik të Koresë së Veriut, Wonsan. Imazhet satelitore u ofruan nga “38 North”, një projekt monitorimi i Koresë së Veriut, me qendër në Uashington.

Nuk mund t’ua them saktësisht“, tha zoti Trump kur u pyet rreth gjendjes së Kim Jong Un-it gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë. “E kam një ide shumë të mirë, por nuk mund të flas tani për këtë. Thjesht i uroj gjithë të mirat”, tha Presidenti Trump duke sugjeruar se misteri do të zgjidhet së shpejti.

Shpresoj që ai është mirë. E di gjendjen e tij. Do të shohim, me siguri do të dëgjoni në një të ardhme të afërt“, tha zoti Trump.

 

Fraksion.com