AktualitetTë fundit

“Arena Kombëtare” fiton Çmimin e Arkitekturës për Europën Juglindore, Veliaj: Edhe Teatri i ri do jetë një sukses

Arena Kombëtare” është shpallur fituese e Çmimit të Arkitekturës BIG SEE Awards për Europën Juglindore.

Pavarësisht skeptikëve dhe kritikave të një minorance të cilët tentuan që të bllokonin një nga xhevahirët më të bukur jo vetëm në Tiranë, por edhe rajon, stadiumi ku zhvillon ndeshjet kombëtarja kuqezi ia ka arritur që të triumfojë duke rrëmbyer një nga çmimet më prestigjiozë në fushën e arkitekturës në Europë.

Teksa ka përshëndetur këtë vlerësim për gjithë punën dhe realizimin e kësaj kryevepre, përmes një postimi në Instagram, kryebashkiaku Erion Veliaj siguron qytetarët se edhe godina e re e Teatrit Kombëtar do të jetë një sukses i vërtetë.

“Sa shumë e luftuan dhe e shanë. Por Stadiumi Kombëtar e mori kupën e parë, shpallet fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE Awards për Europën Juglindore! Do rikthehet loja sërish miq. Sa shumë e luftojnë Teatrin e ri. Por si sheshi ‘Skënderbej’, Pazari i Ri dhe Stadiumi, Teatri i ri do jetë një sukses”, thekson Veliaj.

Projekti i “Air Albania Stadium” arriti të triumfojë mes shumë projekteve nga Italia, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina, Qiproja, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.

Stadiumi është projektuar si një qendër shumëfunksionale e cila do t’i sjellë gjallëri dhe zhvillim të gjithë zonës. Qendër tregtare, ambiente për argëtim familjar dhe për fëmijët, lokale, restorante, zyra për federatën e futbollit dhe një muze për historinë e futbollit shqiptar.
Të gjitha këto shtrihen përgjatë 6 kateve të stadiumit. Mbi të gjitha, “Arena Kombëtare” ruan identitetin e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa-s” në të cilin hodhi rrënjët, me fasadën, monument kulture, e cila qëndron në hyrjen kryesore.

Ndërkohë stadiumi është një ambient ideal për të zhvilluar koncerte të të gjitha përmasave.

Pas pandemisë, “Arena Kombëtare” nuk do të shijohet vetëm gjatë 90 minutave të lojës, por impianti do të jetë i aksesueshëm në çdo orë të ditës dhe nga të gjitha moshat.

 

Fraksion.com