AktualitetBota+Të fundit

Koronavirusi, aktualisht “i eliminuar” në Zelandën e Re

Zelanda e Re tha se ka ndaluar transmetimin në komunitet të koronavirusit, duke e eliminuar në mënyrë efektive atë.

Me numër të vogël të rasteve të reja për disa ditë me radhë dhe me një të vetëm të dielën, kryeministrja Jacinda Ardern tha se virusi aktualisht është “eliminuar”.

Komentet vijnë një ditë para se Zelanda e Re të lehtësojë disa masa kundër koronavirusit.

Nga e marta, disa aktivitete jothelbësore të biznesit, të kujdesit shëndetësor dhe të arsimit do të mund të rinisin operimet.

“Ne po e rihapim ekonominë, por jo edhe jetën shoqërore të njerëzve”, tha Ardern në konferencën e përditshme të qeverisë.

Zelanda e Re ka raportuar më pak se 1,500 raste me koronavirus dhe 19 vdekje.

Drejtori i përgjithshëm i Shëndetësisë atje, Ashley Bloomfield, tha se numri i ulët i rasteve të reja, ditëve të fundit, “na jep besim se kemi arritur qëllimin tonë të eliminimit”.

Megjithatë, ai paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë, duke thënë se situata aktuale nuk do të thotë “fund total” i rasteve të reja me koronavirus.

 

Fraksion.com