AktualitetTë fundit

“Inspektim i dy shkollave në Don Bosko”; Veliaj informon Ramën: Edhe klasa në natyrë

Dy shkollat e reja “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në Tiranë po ndërtohen si pjesë e programit të përbashkët Qeveri/Bashki për 17 shkolla të reja me standardet më të larta në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama, ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan sot punimet në shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në zonën e “Don Boskos”, Tiranë.

Veliaj tha se “përmes këtyre shkollave do t’i jepet fund mësimit me dy turne për nxënësit e kësaj zone”.

“Që para 2 vitesh kur filluam projektin e 17 shkollave dakordësuam me Ministrinë e Financave atëherë që do e bëjmë 50 me 50 këtë punën e shkollave. Ky ka qenë një nga lotet e parë që ka filluar. Janë 5 shkolla në total. Gjysma e godinës është shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela”, gjysma tjetër është shkolla e mesme “Kristo Frashëri”. Kati i parë ka hyrje të veçantë për 170 fëmijë për kopsht dhe çerdhe”, tha Veliaj.

Ai theksoi se “falë këtyre investimeve të reja e gjithë zona po merr një zhvillim dhe shumë prej familjet e reja që marrin kredi të butë nga Bashkia po preferojnë këtë zonë”.

“E gjithë lagjja këtu shërbehet me shkolla në Laprakë. Pra çdo ditë furgonët ose prindërit me makinë çojnë fëmijët ose te “Ahmet Gashi” te 9-vjeçarja që keni bërë ju në Laprakë ose te “Aleks Buda”, gjimnazi. Vetëm në 2 vitet e fundit 5000 familje të reja janë transferuar. Kemi qenë bashkë kur strehuam familjet e mbetura nga tërmeti te blloku ngjitur këtu, Fior di Bosco. Aty jo vetëm që është shitur çdo gjë, por 1000 banesa merren vetëm me projektin e Bashkisë për kreditë e buta”, tha ai.

Veliaj theksoi se “5000 çifte të reja kanë ardhur vetëm për 2 vjet dhe shkollat në Laprakë kanë kaluar të gjitha me dy turne prej kësaj ngarkese”.

“E gjithë hapësira këtu do të kthehet në terrene sportive, do të ketë vetëm një rrugë aksesi dhe, le të themi, një parkim të vogël për mësuesit. Pastaj unë besoj që fundi i vitit na gjen me 1500, 1600 fëmijë në shkollë”, nënvizoi ai.

Veliaj tha se “investimet po vijojnë edhe në zonat e tjera në mënyrë që shkollat e reja të jenë gati për të mikpritur nxënësit”.

I pyetur nga Kryeministri për situatën e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, Veliaj theksoi se ka nisur puna dhe për rindërtimin e shkollave të reja të cilat u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Me të rindërtimit kemi filluar me projektet e shkollave. Stefano Beheri ka projektuar dy shkolla te Instituti Bujqësor, shkolla “Nënë Tereza” dhe shkolla “Kenedi” dhe shkolla tjetër te “Shqiponja” që është buzë me autostradën e re, te ish-reparti ushtarak. Ajo që do të bëjmë është do të marrim këta arkitektët që janë më në zë. Të paktën për shkollën “Sami Frashëri”, për shkollën “Lasgush Poradeci” që të jenë shkolla dizajn, bëhen që bëhen”, tha Veliaj.

Ai theksoi se “tani një nga rekomandimet e gjithë urbanistëve edhe në situatën e pandemisë, është që e para e punës të bëjmë më shumë shkolla se ç’na duhen, që klasat të jenë më të vogla dhe të ketë shumë hapësirë lulishtesh që disa klasa të mund të bëhen edhe në natyrë”.

“Pra nuk ka nevojë t’i mbajmë fëmijët si në kotec, por del nga klasa dhe e bën në bahçen e shkollës, siç është projektuar me këto ‘piacat’ e brendshme të shkollës. Jemi duke mbyllur 2 shkollat e Kodër-Kamzës dhe më shumë se Kodër-Kamza dhe ‘Don Bosko’, shpëton Lapraka që ishte super e mbingarkuar”, deklaroi Veliaj.

 

Fraksion.com