SHBA, shtetet përpiqen të heqin kufizimet, të rihapin ekonominë
Një seri tjetër shtetesh amerikane janë duke u përgatitur të heqin kufizimet për koronavirusin këtë javë megjithë paralajmërimet e shumë ekspertëve të shëndetit publik, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë beson se shkalla e papunësisë mund të arrijë 16 për qind ose më shumë këtë muaj.
Ekspertët shëndetësorë thonë se rritja e bashkëveprimit njerëzor mund të shkaktojë një valë të re rastesh me COVID-19, sëmundje që deri tani ka shkaktuar vdekjen e afro 54,000 amerikanëve.
Shtetet Kolorado, Misisipi, Minesota, Montana dhe Tenesi do t’u bashkohen shteteve të tjera duke filluar një eksperiment për të rihapur ekonomitë pa bërë testime. Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se testimet janë të nevojshme për të parandaluar rigjallërimin e infeksioneve dhe se bëhet fjalë për jetën e njerëzve.
Shtetet Xhorxhia, Oklahoma, Alaska dhe Karolina e Jugut kanë ndërmarrë tashmë hapa për të rihapur ekonomitë e tyre pas një muaj bllokimesh të urdhëruara nga qeveria.
Këto kufizime të pashembullta rezultuan në një numër rekord prej 26.5 milion amerikanësh që kanë paraqitur kërkesa për pagesë papunësie që nga mesi i marsit.
Zyra jopartiake e Buxhetit pranë Kongresit amerikan parashikoi të premten se ekonomia do të tkurret me një normë prej gati 40% në tremujorin e dytë. Edhe vitin e ardhshëm, kjo zyrë parashikon se niveli i papunësisë do të jetë mbi 10 për qind.
Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Kevin Hassett u tha gazetarëve se shkalla e papunësisë në SHBA ka të ngjarë të arrijë në 16 për qind ose më shumë për muajin prill.
“Mendoj se dy muajt e ardhshëm do të duken të tmerrshëm,” tha zoti Hassett të dielën. “Do të shihni shifra mjaft të ulta, më të ultat që kemi parë ndonjëherë më parë.”
Në sfondin e protestave të shpërndara në të gjithë vendin ku kërkohet heqja e urdhërave të qëndrimit në shtëpi, shteti Tenesi njoftoi se do të lejojë që restorantet të hapen të hënën. Urdhri i qëndrimit në shtëpi i Misisipit skadon në të njëjtën ditë.
Montana po lejon bizneset të rihapen të hënën nëse kufizojnë kapacitetin dhe praktikojnë distancimin fizik, ndërsa Minesota do të lejojë që disa biznese të rihapen po të hënën, duke lejuar 80,000 deri 100,000 njerëz në sektorin prodhues apo në zyra të kthehen në punë.
Disa sondazhe tregojnë se një shumicë e amerikanëve, simpatizantë të të dyja partive, duan të qëndrojnë në shtëpi për të mbrojtur veten nga koronavirusi, pavarësisht ndikimit në ekonomi.
PËRMIRËSOHET GJENDJA NË NJU JORK
Ndërkohë, banorët e Nju Jorkut do të jenë në gjendje ta bëjnë testin e koronavirusit nëpër farmaci.
Guvernatori Cuomo tha se 5,000 farmaci do të lejohen të kryejnë testet dhe se synimi është të kryhen 40,000 teste në ditë.
Përveç kësaj, punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë në katër spitale të qytetit të Nju Jorkut do të bëjnë testimin e antitrupave për virusin.
Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi të shtunën se nuk ka “asnjë provë” se pacientët e shëruar nga COVID-19 që kanë antitrupa janë të imunizuar ndaj një infeksioni të dytë.
Përqendrimi tek testimet vjen ndërkohë që kriza e koronavirusit po njeh rënie në Nju Jork, epiqendra e pandemisë në Shtetet e Bashkuara. Shtrimet në spitale në këtë qytet arritën nivelin më të ulët në tre javë.
“Njëzet e një ditë ferr, dhe tani jemi atje ku ishim 21 ditë më parë,” tha zoti Cuomo në një konferencë shtypi. Tani jemi të përqendruar tek testimi.”/voa
Fraksion.com