AktualitetBota+Të fundit

Mbretëri e Bashkuar, shkon në 20.732 numri i të vdekurve nga COVID-19

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 20.732, pasi në 24 orët e fundit u raportua vdekja e 413 personave të tjerë nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet shëndetësore të vendit po ashtu njoftuan se gjithsej 4.463 rastë të reja të koronavirusit janë raportuar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 152.840.

Në 24 orët e fundit në vend janë kryer 29.958 teste të dyshuara për COVID-19, ndërsa që nga shpërthimi i pandemisë janë kryer gjithsej 669.850 teste.

Ndërkohë, kryeministri britanik, Boris Johnson, nesër do të kthehet në punë, duke u përballur me thirrjet e opozitës dhe brenda partisë së tij për të shpjeguar strategjinë e qeverisë për heqjen e bllokimit që është në zbatim që nga 23 marsi.

Një anketë e re për gazetën “Observer” zbuloi se besimi i publikut ndaj qeverisë ka shënuar rënie gjatë dy javëve të fundit.

Anketa zbuloi se në çështjet kyçe, më shumë se gjysma e tyre apo 57 për qind nuk e pranuan mënyrën e trajtimit të qeverisë ndaj pandemisë. Ajo po ashtu zbuloi se 63 për qind e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se qeveria nuk veproi në mënyrë të shpejtë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sidoqoftë, 51 për qind e pjesëmarrësve në anketë ende e aprovojnë trajtimin e përgjithshëm të qeverisë ndaj krizës dhe 49 për qind e tyre thanë se kanë besim në aftësinë e qeverisë për të trajtuar situatën siç po zhvillohet.

Të dyja këto shifra kanë shënuar rënie gjatë dy javëve të fundit, por tregojnë se njerëzit ende po mbështesin qeverinë e tyre.

Në Mbretërinë e Bashkuar mediat lokale po ashtu kanë raportuar se mbi 2 milionë operacione kirurgjikale jo-urgjente janë anuluar për të paktën tre muaj, në mënyrë që të lirojnë hapësirat e shtretërve për pacientët me koronavirus.

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar tha se shtyrja e këtyre operacioni ka liruar 12 mijë shtretër për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën 2.9 milionë, me rreth 205 mijë të vdekur dhe rreth 860 mijë të shërëuar.

 

Fraksion.com