Rikthehet në detyrë kapiteni i shkarkuar i aeroplanmbajtëses “Theodore Roosevelt”
Duke bërë një kthesë të jashtëzakonshme të ngjarjeve, Marina e Shteteve të Bashkuara ka rekomanduar rikthimin e kapitenit të shkarkuar të aeroplanmbajtëses së goditur nga koronavirusi, “Theodore Roosevelt”, ekuipazhi i të cilës e përshëndeti kapitenin si një hero të gatshëm të rrezikonte profesionin e tij, për të mbrojtur detarët e tij, thanë zyrtarët të premten.
Udhëheqja e marinës ushtarake bëri rekomandimin për të rikthyer kapitenin Brett Crozier tek Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper të premten, vetëm tre javë pasi kapiteni Crozier u lirua nga komanda pas daljes së një letre që ai kishte shkruajtur, ku i bënte thirrje Marinës për masa më të forta, thanë zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti.
Pentagoni lëshoi një deklaratë ku pranohet se Sekretari Esper mori rezultatet e hetimit paraprak të Marinës për incidentin në këtë aeroplanmbajtëse. Por, deklarata shton se zoti Esper do të donte të shihte një variant të hetimit të përfunduar.
Duke sugjeruar se asnjë vendim nuk do të ishte i menjëhershëm, deklarata tha se Sekretari Esper “synon të rishikojë plotësisht raportin dhe do të takohet përsëri me udhëheqjen e Marinës për të diskutuar hapat e ardhshëm” dhe se “asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë.”
Më parë të premten, zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Hoffman tha se Sekretari Esper po shkonte në takim me “mendje të hapur” dhe se ishte duke u mbështetur në konkluzionet e Marinës.
“Ai po kalon në këtë çështje me një mendje të hapur dhe ai përgjithësisht është i prirur të mbështesë udhëheqjen e Marinës në vendimet e tyre,” tha Hoffman në një konferencë për shtyp.
Kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Smith, një ligjvënës demokrat, bëri thirrje për rikthimin e menjëhershëm të Kapitenit Crozier.
“Gjatë kësaj kohe krize, Kapiteni Crozier është pikërisht çfarë u duhet marinarëve tanë: një drejtues që frymëzon besim,” tha ai.
Burimet thonë se kapiteni Crozier është një nga 856 detarët e ekuipazhit prej 4,800 anëtarësh të aeroplanmbajtëses “Roosevelt” i që rezultuan pozitivë me koronavirusin, që nxorri kështu praktikisht jashtë funksionimit një nga anijet më të fuqishme të Marinës amerikane.
Kapiteni Crozier u shkarkua nga drejtuesi më i lartë civil i Marinës, në atë kohë Sekretari në detyrë i Marinës, Thomas Modly, në kundërshtim me rekomandimet e drejtuesve me uniformë, të cilët sugjeruan që ai të presë për rezultatin e hetimeve.
Fraksion.com