AktualitetEkonomiTë fundit

Krijohet komisioni i përbashkët i certifikimit të prodhuesve e mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike

Në kuadër të vijimësisë së procesit të fiskalizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi subjektet që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, mbi krijimin e komisionit të përbashkët të certifikimit të prodhuesve/mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike.

“Në zbatim të VKM “Për kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software-ike për proçedurën e faturimit dhe të fiskalizimit si dhe proçedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike”, është firmosur urdhëri i përbashkët midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për emërimet në komisionin e përbashkët çertifikues, duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë për aplikim dhe çertifikim të çdo subjekti të interesuar. Në shoqërim të urdhërit të përbashkët është firmosur edhe rregullorja e përbashkët mbi saktësimin e procedurave të çertifikimit me qëllim qartësimin e të gjithë hapave të proçesit të çertifikimit duke filluar nga aplikimi e deri tek marrja e çertifikatës”, thuhet në njoftimin e DPT-së.

Në zbatim të kësaj rregulloreje, DPT bën të ditur se ngarkohet grupi i përbashkët i punës me specialistë sipas fushave përkatëse, i cili do të shqyrtojë kërkesat e çdo aplikanti, të dhënat dhe dokumentacionin e paraqitur si dhe vetë zgjidhjen e softuerit.

“Aplikimi për çertifikimin kryhet pranë Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit nëpërmjet Platformës së Ndërveprimit Qeveritar e-Albania”, informon DPT.

Administrata Tatimore nxit të gjithë subjektet e interesuara që të bëjnë aplikimin për çertifikimin, duke u bërë kështu pjesë e proçesit shumë të rëndësishëm të fiskalizimit.

Procesi i fiskalizimit, i cili pritet të nisë në shtatori të këtij viti, synon modernizim në sistemin e taksave, reduktim të ekonomisë informale dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

 

Fraksion.com