“Do jemi zëri i problemeve”; Basha: Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë
Kreu i PD-së Lulzim Basha tha sot se ne do jemi zëri i halleve the problemeve të njerëzve, gjatë bisedës me përfaqësues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë.
Basha shprehet se “sot bisedova përmes disa videokonferencave me drejtuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë, lidhur me situatën e rëndë që po kalon vendi”.
“E përbashkëta kudo është që qytetarët janë në vështirësi për të siguruar jetesën e përditshme. Shteti ka lënë në harresë mijëra familje në nevojë dhe biznese. Shumica nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria, ndërkohë që ju duhet të paguajnë edhe faturat e rritura të dritave dhe ujit. Ne do vazhdojmë të jemi në kontakt me njerëzit për t’u dhënë zë problemeve dhe halleve të tyre në këto ditë të vështira”, tha ai.
Po ashtu, Basha shton se “pa asnjë vonesë, qeveria duhet të shpërndajë fondet e mbijetesës dhe të përfshijë menjëherë të gjithë familjet dhe njerëzit në nevojë. Të mbështesë sipërmarrjen në vështirësi mbijetese, biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizmin, pa përjashtuar askënd”.
“Shqiptarët që kanë paguar këto 7 vjet taksa ndër më të lartat në rajon, kanë sot nevojë për ndihmën që u takon nga shteti. Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë”, tha në fund ai.
Fraksion.com