AktualitetNATO/BETë fundit

Paqe gjithëpërfshirëse, mundësi historike; Deklarata e Këshillit të Atlantikut të Veriut për Afganistanin

Perspektiva e fillimit të negociatave për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes në Afganistan paraqet një mundësi historike për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë me dekada. Të gjitha palët duhet të veprojnë për të përmbushur urgjentisht angazhimet që kanë bërë për të ulur dhunën dhe për të punuar drejt paqes.

Ne u bëjmë thirrje urgjente liderëve politikë të Afganistanit dhe mbështetësve të tyre të mblidhen për të zgjidhur dallimet e tyre dhe të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse. Aktorët politikë të Afganistanit duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për paqe.

Niveli aktual i dhunës i shkaktuar nga talebanët nuk është i pranueshëm. Ne i bëjmë thirrje urgjentisht talebanëve të zvogëlojnë dhunën dhe të krijojnë kushte të favorshme për fillimin e negociatave. Më tej NATO u bën thirrje talebanëve të përmbushin angazhimet e tyre për të siguruar që terroristët kurrë të mos gjejnë strehë të sigurt në tokën afgane.

Ne mirëpresim krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës negociues për të përfaqësuar Republikën Islamike të Afganistanit. Ne i bëjmë thirrje talebanëve të fillojnë negociatat me këtë ekip pa vonesë të mëtejshme, e cila konsiderohet si një element kryesor i marrëveshjes SHBA-Taliban. Ne presim që këto negociata të çojnë në një marrëveshje paqësore të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që i jep fund dhunës, mbron të drejtat e njeriut të të gjithë afganëve, përfshirë gratë dhe fëmijët, përkrah sundimin e ligjit dhe siguron që Afganistani kurrë të mos shërbejë përsëri si një strehë e sigurt për terroristët.

NATO i inkurajon të dy palët të demonstrojnë vullnet të mirë duke përshpejtuar lirimin e të burgosurve, si një masë ndërtimi besimi dhe të përqafojnë thirrjen e bashkësisë ndërkombëtare për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Përhapja e vazhdueshme e pandemisë COVID-19 nënvizon urgjencën e masave të tilla. Ne u bëjmë thirrje talebanëve të bëjnë pjesën e tyre për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në mesin e popullit afgan.

NATO riafirmon përkushtimin e saj të gjatë për Afganistanin dhe forcat e sigurisë afgane, me të cilët NATO dhe partnerët e saj kanë luftuar krah për krah në ndjekjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Tani është koha për të vepruar në mbështetje të paqes së qëndrueshme.

 

Fraksion.com