AktualitetBota+Të fundit

SHBA, papunësia në shifra rekord, papunësia në shifra rekord

Një numër rekord prej 26 milion amerikanësh paraqitën kërkesë për pagesë papunësie gjatë pesë javëve të fundit, ndërkohë që pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave të publikuara sot, vetëm javën e kaluar numrit të të papunëve iu shtuan edhe 4,4 milion persona të tjerë.

Qindra anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan do të mblidhen të enjten në Uashington për të miratuar projektligjin për një ndihmë të përkohshme shtesë prej 484 miliardë dollarësh.

Ajo është pjesë e paketës së përgjithshme stimuluese prej mëse 2 trilion dollarësh, më e madhja e këtij lloji në historinë e SHBA për të përballuar krizën e koronavirusit.

Gjashtë javë shpenzime rekord të qeverisë amerikane nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar dëmin që pandemia i ka shkaktuar ekonomisë së vendit dhe sektorit të shëndetit publik, sipas VOA.

Bllokimet e qyteteve për të përballuar koronavirusin kanë detyruar miliona amerikanë që të aplikojnë për pagesë papunësie, ndërsa pronarët e bizneseve të vogla ndodhen përballë pikëpyetjes nëse do t’i rihapin ndonjëherë dyert.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi është rreth 843 mijë dhe i të vdekurve mëse 46,700.

 

Fraksion.com