Merkel: Lëvizim mbi shtresë shumë të hollë akulli; Europa, fati ynë i përbashkët
Në deklaratën qeveritare para Bundestagut të enjten, kancelarja gjermane u bëri thirrje gjermanëve për durim e disiplinë për të mos e humbur atë që është arritur. Gjermania është gati të paguajë shumë më të larta për BE.
Në fjalimin e saj Merkel theksoi, se nuk ka pasur vendim më të vështirë në mandatin e saj si kancelare, se sa ai që mori për sakrifikimin e disa të drejtave e lirive personale. Kjo pandemi është një mbingarkesë për demokracinë, u shpreh Merkel. Por kufizime të forta janë të nevojshme. Ato janë të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu. Merkel kritikoi landet gjermane që pas ujdisë mes federatës e landeve ndoqën secili rrugën e vet, si për shembull në drejtim të mbajtjes së detyruar të maskës.
Europa -fati ynë i përbashkët
Europa dhe kriza në të cilën po i fut Corona vendet e Bashkimit Europian ishte po ashtu në fokus të fjalimit të kancelares gjermane. Merkel tha, se në dy vitet e ardhshme do jenë të nevojshme shuma më të mëdha në buxhetin europian që edhe vendet e tjera të rimëkëmben. Programet ekonomike do të duhet të japin impulse për ekonominë europiane. Ne jemi një bashkësi që na lidh fati i përbashkët e duhet ta tregojmë këtë këto ditë të pandemisë. “Europa nuk është Europa nëse nuk e kupton veten si Europë e nëse nuk ndihmon në raste emergjente”, theksoi Merkel. Nuk duhet të kemi iluzione, do jetë një periudhë e gjatë e vështirë.
Merkel u shpreh kundër borxheve të përbashkëta në BE për përballimin e krizës. Edhe sikur të jetë vullneti politik, për këtë duhet të vendosin parlamentete e shteteve anëtare për dhënien e një pjese të kompetencave buxhetore të BE. Por “ky do të ishte një proces që kërkon shumë kohë dhe jo një proces që ndihmon drejtpërdrejt në situatën aktuale.”/dw
Fraksion.com