AktualitetBota+Të fundit

“Më tha më fal, por unë jam me koronavirus”; Polici shqiptaro-amerikan rrëfen përballjen e tij sëmundjen: Mund të vërë poshtë

Pandemia e koronavirusit nuk ka kursyer askënd, qofshin të fortë fizikisht apo me probleme ekzistuese të shëndetit. Një kontigjent mjaft i prekur janë dhe punonjësit e policisë. Materiali në vazhdim sjell historinë e Altin Çeloaliaj, një oficeri policie i cili më 13 prill u diagnostikua me koronavirus. Ai është vetëm një prej shumë policëve të prekur nga pandemia në shtetin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, disa prej të cilëve nuk arritën dot t’i mbijetojnë sëmundjes. Në intervistën dhënë koleges Menada Zaimi, 33 vjeçari shqiptaro-amerikan, rrëfen eksperiencën e tij me sëmundjen, që mund të vërë poshtë siç thotë, edhe më të shëndetshmin.

Krahas punonjësve të shëndetit publik që shërbejnë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, një tjetër grup në rrezik janë punonjësit e policisë.

Një prej tyre është oficeri Altin Çeloaliaj, i cili punon për agjencinë ligjzbatuese që mbulon Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, dy shtete të goditura rëndë nga pandemia. Objekt i punës së tij është anti-terrorizmi dhe zakonisht përfshin pak ndërveprim me publikun. Por në këtë kohë krize misioni i punonjësve të policisë ka qenë edhe më i gjerë, duke i ekspozuar ata jo rrallë herë me persona të prekur nga koronavirusi.

Iu përgjigja një thirrje për ndihmë ndërsa isha në detyrë, ndihmova dikë. Më tha më fal, por unë jam me koronavirus. Besoj aty e kam marrë virusin, duke punuar. Fillimisht nuk e mendova shumë, pasi nuk iu afrova shumë. Thashë nuk do të jetë ndonjë gjë. Dy tre ditë më pas më filloi kolla dhe simptoma të tjera”, thotë oficeri i policisë Altin Çeloaliaj.

Kolla është një nga simptomat që shoqëron rëndom sëmundjen, e që duket se merr kohë për t’u larguar edhe pas shërimit. Intervista jonë me Altinin ndërpritet disa herë prej kollës…

Por ai thotë se ndihet shumë më mirë sesa dy javë më parë…

Kisha shumë kollë, mezi flisja dhe kisha dhimbje në gjoks. Pastaj filloi temperatura ajo ishte më e keqja. Sidomos natën bëhej edhe më keq. Ishte e vështirë. Kur ngrihesha nga krevati të shkoja në banjë, më duheshin 20 minuta vetëm të mbushesha me frymë. Prej datës 2 deri në 13 isha keq, tani kam pak kollë, por jam shumë më mirë”, thotë ai.

Altini nuk është i vetmi në departamentin e tij që është prekur nga sëmundja.

Ka disa të tjerë (kolegë) që janë në shtëpi si unë, që po marrin veten nga sëmundja”, thotë ai.

Kjo ka qenë një periudhë e vështirë në shumë aspekte për 33 vjeçarin. Ka kaluar më shumë se një muaj që ai jeton vetëm në shtëpi pa bashkëshorten shtatzënë e cila po jeton me prindërit e tij. Në një përpjekje për t’i ruajtur ata nga virusi, Altini i kaloi ditët më të vështira të sëmundjes i vetëm. Dhe nuk ishte e lehtë, qoftë edhe për një oficer policie.

Më e vështirë se të kalosh virusin është ndarja nga familja. Nusja është shtatzënë me binjakë, është shtatë muajshe, ka nevojë të shkojë tek doktori dhe unë nuk jam aty ta ndihmoj, u bë një muaj. Edhe prindërit janë në merak. Kur isha sëmurë vinin çdo ditë dhe më linin ushqim tek dera, por unë nuk ngrihesha dot fare nga krevati për t’i marrë”, shton Altini.

Nisur nga eksperieca e tij oficeri i policisë së Nju Jorkut ka një mesazh për të ndarë.

Mendova se do të ishte si gripi normal. Thashë do të infektohem e do ta kaloj, nuk është gjë e madhe, por ishte më keq nga sa mendova. Isha me fat që gruaja ime ishte tek prindërit e mi dhe nuk sëmura njeri tjetër. Por do të ishte keq nëse kjo do të kishte ndodhur, pasi është shtatzane me binjakë dhe prindërit e mi janë të moshuar. Babi ka disa probleme shëndetsore. Ndaj nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për prindërit e të tjerët. Ne të rinjtë e kalojmë, por disa nuk e kanë kaluar, një polic 34 vjeç vdiq pak ditë më parë”, thotë Altin Çeloaliaj.

Altin Çeloaliaj u testua poziv me COVID-19 më 13 prill. Ai thotë se është shëruar ose të paktën kështu mendon pasi simptomat po i fashiten. Por do të donte që gjithë kësaj historie t’i shtonte dhe një konfirmim zyrtar. Për shkak të volumit të madh të kërkesa ai thotë se nuk ka mundur të ritestohet.

Tashmë ka kaluar më shumë se dy javë që kur u shfaqën simptomat. Më thanë (mjekët) që nuk përbën më rrezik për ta transmetuar virusin, por më kërkuan të rri edhe një javë tjetër në shtëpi që kjo gjë të jetë e sigurt. Do të doja ta bëja sërisht testin të dilja negativ dhe të hiqja mendjen, sepse tani jam i izoluar nuk vete në asnjë vend, por më thanë që nuk ma bëjnë dot. Marrja e përgjigjes që isha pozitiv me COVID-19 më mori afërsisht nga 9-10 ditë, nëse e bëj tani sërisht testin, do të më kërkojë po aq, unë në datë 27 duhet të kthehem në punë”, thotë oficeri i policisë.

Sipas të dhënave më të fundit të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut rreth 20 për qind e punonjësve janë prekur nga COVID-19./VOA

 

Fraksion.com