Mblidhet online Këshilli i OSBE-së; Hasani: Çdo përpjekje për të përmbushur misionin
Për herë të parë në historinë e tij, Këshilli i Përhershëm i OSBE-së u mblodh sot online. Në përputhje me masat dhe kufizimet e paraqitura nga OSBE dhe autoritetet austriake pritëse në kuadër të pandemisë COVID-19, delegacionet e 57 shteteve pjesëmarrëse dhe 11 Partnerë për Bashkëpunim mbajtën takimin e tyre të parë përmes videokonferencës.
“Këshilli i Përhershëm është thelbësor për të ruajtur dialogun politik midis shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe për të udhëhequr punën e rëndësishme të përditshme të Organizatës sonë në Vjenë dhe në të gjithë rajonin tonë. Për këtë arsye Kryesia shqiptare ka dyfishuar përpjekjet e saj për të bashkuar të gjitha shtetet pjesëmarrëse, partnerët dhe strukturat ekzekutive të OSBE-së në mënyrë që kjo Organizatë të mund të vazhdojë punën e saj në mënyrë efektive, duke çuar para objektivat e saj të përbashkëta”, tha Hasani.
Sekretari i Përgjithshëm Thomas Greminger falënderoi Kryetarin e Këshillit të Përhershëm, ambasadorin shqiptar Hasani dhe shtetet pjesëmarrëse për takimin e sotëm të rëndësishëm. Ai vlerësoi veçanërisht ekipin e shërbimeve të TIK dhe të konferencës që bënë të mundur këtë sesion online. Në këtë kuadër “personeli ynë në të gjithë rajonin e OSBE-së vazhdon të punojë së bashku për të përmbushur mandatet e tyre duke i garantuar sigurinë stafit tonë”.
Diskutimi i sotëm u përqendrua në raportet periodike nga Shefi i Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, Ambasadori Halit Çevik, dhe Përfaqësuesi Special i Kryetarit të OSBE-së në Ukrainë dhe Grupit të Kontaktit Trilateral, Ambasadori Heidi Grau.
Ambasadori Hasani i kujtoi Këshillit të Përhershëm vdekjen tragjike të Joseph Stone, mjekut të Ekipit Special të Monitorimit (SMM), më 23 prill 2017. “Kjo është një kujtesë e trishtuar dhe e ashpër e kërcënimeve me të cilat (SMM) dhe civilë të tjerë vazhdojnë të përballen në Ukrainën Lindore”, tha ai.