Marrëdhënia Rama-Meta? Hajdari: S’jam e befasuar, kanë dashuri të gjatë! Opozita dobët, po mundohem të mbush vakumin
Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari në një intervistë me Skype në edicionin qendror të lajmeve në Report Tv me gazetarin Besard Jacaj u shpreh se nuk është aspak e befasuar nga marrëdhënia e re mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama nisur nga dekretimi i ndryshimeve të Kodit Penal.
“Është e qartë se ishte një aferë, u duk pak e nxitur sepse Presidenti ka një nen që në momentin që miratohet një ndryshim, ai ka të drejtë ta dekretojë apo mos dekretojë dhe ai nuk e priti këtë afat. Shumë mirë sikur ka bërë herët e tjera, mund ti kishte ardhur ky amendim dhe më vonë të kishte mirëpritur sugjerime dhe të kishte bërë ndryshimet amenduese.
Por ai nuk e bëri këtë, zgjodhi një rrugë tjetër. Kjo ishte befasi, pasi bëri një fushatë të gjatë për zbatimin e Kushtetutës por në opinionin tim personal nuk është një gjë që më befason, sepse e kam kuptuar se dashuria që kanë mes njëri tjetrit është shumë e gjatë sesa e kanë për popullin duket prej 30 vitesh është dëshmuar qartazi” tha Hajdari.
Por, marrëdhënia e mirë mes Presidentit dhe kryeministrit a përkthehet në probleme të tjera dhe a është xheloze Hajdari? “Absolutisht, nuk e njoh termin xhelozi, nuk hyj në këto bashkëpunime apo afera, por dashurinë e madhe e kam ndaj vendit tim dhe njerëzve që përfaqësoj. Nëse ekziston një gjë e tillë do përgjigjen një ditë me votën që do të japin qytetarët”.
Për Rudina Hajdarin, opozita është në nivele të dobëta dhe nuk po shfrytëzon hapësirën që ka. Këtë hapësirë, Hajdari, tha se po mundohet që ta mbushë. Por a ka pasur kontakte me Lulzim Bashën? “Absolutisht fare, nuk kam pasur asnjë kontakt unë u qëndroj atyre gjërave që kam thënë, ata gjatë gjithë kohës nuk e përjashtoj Bashën që kanë një dashuri mes tyre dhe mënyra që bëjnë politikë dhe nuk e kanë dashurinë ndaj atyre që përfaqësojnë.
Qëndrimet e tyre ndryshojnë kaq shpesh, opozita sot është në nivelet më të dobëta, kur ka hapësirë për të bërë opozitë të fortë, unë po mundohem të mbush këtë vakum. Përfaqësimi im është për ata që nuk e ndiejnë veten të përfaqësuar nga kjo qeveri. Nëse ka njerëz që më përkrahin uroj të mos i zhgënjyer. Ne në parlament kemi bërë detyrën tonë. Unë kam detyrë t’u jap zë problemeve dhe shqetësimeve që më vijnë, duke folur në parlament dhe shpalosur shqetësimet që kam dhe jam e vetëdijshme sepse e kuptoj ca është të kesh një goditje të thellë ekonomike dhe të mos e përballosh dot jetesën” tha ajo.
Fraksion.com