Kosovës i shtohen edhe 39 raste me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se janë konfirmuar edhe 39 raste të reja me koronavirus.
“Janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore”, thuhet në njoftim.
Rastet pozitive janë raste kontakti: 26 nga komuna e Pejës, 9 raste me vendbanim në Prizren, 2 raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.
Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 669.
IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të mërkurën janë shëruar edhe 21 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 159 .
Deri më tani në Kosovë 19 pacientë kanë humbur jetën.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.
Fraksion.com