Korçë: Vritet me thikë 67-vjeçari; Gruaja e gjen në gjendje të rëndë pranë banesës
Një 67-vjeçar u vra me thikë në qytetin e Korçës në rrethana ende të mistershme.
Bashkëshortja e cila gjeti burrin e saj, Petrika Treska me plagë të rënda të thike, pranë banesës së tyre në lagjen numër 7 të qytetit, e shoqëroi atë me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 67-vjeçari Petrika Treska nuk mundi të mbijetojë.
Ngjarja sipas policisë ndodhi rreth orës 20:30, ku policia thotë se 67-vjeçari u godit me thikë në rrethana të paqarta dhe ndërroi jetë në spital.
Burime ende jo zyrtare thonë se shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet të jetë bërë tradhtia, por ende nuk ka informacione më të detajuara.
“Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në një njoftim paraprak të policisë.
Fraksion.com