“Fasoneritë s’kanë pse mbyllen po respektuan masat”, Kryeinspektori i Përgjithshëm: 21 prej tyre gjoba deri në 1 milion lekë
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari ka folur me shifra të të gjithë punës së koordinuar në terren për inspektimet e kryera nga ISHP, AKU, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut. Në lidhje me situatën kritike që është krijuar në fasoneritë në Krujë, Hajdari tha se nga 762 të tilla që janë në të gjithë vendin, 21 prej tyre janë gjobitur me shumë atë larta deri në 1 milion lekë të reja.
Që prej 10 marsit e deri sot janë kryer 3 369 inspektime tha Hajdari për Report Tv duke treguar punën voluminoze që po bëhet çdo ditë në lidhje me respektimin e masave antiCOVID-19 nga subjektet tregtare dhe biznesit.
Sipas Hajdarit inspektimet vijojnë në fasoneri dhe se ato nuk duhet të mbyllen pasi kanë të punësuar 140 punonjës dhe bllokimi i tyre do të sillte një krizë tepër të rëndë ekonomike. Ai tha se nuk është e nevojshme të mbyllen por të respektojnë masat dhe distancimin social edhe duke zhvilluar punën me turne.
“Nga 10 marsi e deri sot janë kryer 3 369 inspektime dhe kjo është një punë voluminoze që nuk ka ndaluar asnjë ditë. Nga këto inspektime 160 subjekte janë gjobitur. Gjatë këtyre dy ditëve ka pasur probleme në Krujë me fasoneritë. Duhet të dimë që në Shqipëri ka 762 fasoneri ku janë gjobitur 21 prej tyre me gjoba tepër të rënda deri në 1 milion lekë të reja, si dhe janë pezulluar 13 deri në plotësimin e kushteve. Duke filluar që nesër të gjitha repartet e vuajtjes së dënimit do të inspektohet për të parë kushtet higjieno-sanitare. Në fasoneri dhe call center do të vazhdojnë të punojnë por drejtuesit duhet të marrim masa që një pjesë e madhe të plotësojnë kushtet jo vetëm higjieno-sanitare por dhe reduktimin e punonjësve për ruajtjen e distancave dhe konsiderimin e punës me turne. Do të vijojmë të kemi prioritet inspektimet në ndërmarrje e madhe dhe shumë shpejt do të hyjnë në fuqi dhe masat penale në këtë fushë dhe do të bëhen efiçente. Ketë nuk e them për kërcënim por për të ndërgjegjësuar çdo subjekt dhe biznes. Kemi qenë të kujdesshëm për inspektimet në fasoneri dhe inspektimi bëhet me autorizim dhe online me mjete transparente, përgjithësisht kemi gjetur mirëkuptim por dhe aty ku kjo ka munguar inspektorët kanë zbatuar detyrën dhe kanë vendosura masat administrative në bazë të shkeljeve që janë gjetur. Në përgjithësi është rritur përgjegjshmëria dhe ka një bashkëpunim. Historia që të mbyllim fasoneritë , ku me një llogari 762 fasoneri me nga 200 punonjës i bie që 140 mijë persona t’i lëmë në shtëpi dhe të rrisim krizën ekonomike”, tha Hajdari.
Fraksion.com