AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi nis konsultimet me partitë politike: Jeni për zgjedhje apo qeveri të re

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur takimin me liderët e partive politike, përshirë këtu edhe përfaqësuesen e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Thaçi u është drejtuar përfaqësuesve të partive politike që të deklarohen se a janë për organizimin e zgjedhjeve apo për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën për të propozuar mandatarin për qeverinë e re.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se presidenti Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.

“Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe akt gjykimi I Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë iniciativë për të formuar shumicë parlamentare, pasi sipas tij, në kohën e pandemisë së koronavirusit, nuk mund të kërkohet të mbahen zgjedhje të reja.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë.

“Unë mund të them në emër të LDK-së, se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje të themelojmë një qeveri, që mund të qeverisë vendin në mënyrë normale. Qeveria në detyrë nuk i përgjigjet kërkesave që shtrohen para saj për arsye se kuvendi ka shprehur vullnetin me 82 vota me mocion (mosbesimi). Vendit i duhet një qeveri me mandat të plotë”, tha Mustafa.

Takimi me liderët politikë, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ai e ka informuar Kurtin se do të veprojë në bazë të kompetencave që i garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, ka shkruar Thaçi.

Kështu, sipas tij, “në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14 do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”.

Këtë vendim, Thaçi ka shkruar se e ka marrë pasi që Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij pavarësisht tri thirrjeve të bëra më 2, 10 dhe 15 prill.

Thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u është përgjigjur me letra që sipas tij, e argumentonin se nuk mund të ketë qeveri të re.

Sipas Kurtit dhe Vetëvendosjes, qeveria aktuale në detyrë duhet ta vazhdojë punën deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje. Ndërkaq, duke komentuar opsionin e formimit të qeverisë pa partinë fituese, në këtë rast pa Vetëvendosjen, Kurti kishte deklaruar se në një rast të tillë, ai do ta procedojë lëndën për aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se presidenti nuk e ka të drejtën që t’ia marrë mandatin partisë fituese.
Në ditën kur Thaçi paralajmëroi kalimin e mandatit për formimin e qeverisë te një subjekt tjetër, duke mos e pritur më tutje Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë filluar takimet në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Liderët e të dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë zhvilluar një takim në të cilin, sipas informacioneve që u dhanë më pas, është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha gjatë një konference për gazetarë se takimi kishte si qëllim trajtimin e çështjes së koalicionit. Por, ai tha se fillimisht pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t’ia ofrojë eventualisht, LDK-së për formimin e qeverisë.

Takimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa me AAK-në ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në kuvend./REL

 

Fraksion.com