AktualitetOp-EdTë fundit

“Si u bë Lenini viktimë e Coronës”

Nga Daria Bryantseva  dhe Christian Trippe

Edhe udhëheqësi i revolucionit, Lenin po vuan nga pandemia e Coronës. Për shkak të karantinës, nuk do të ngrihet statuja e Leninit në qytetin gjerman të Gelsenkirchenit. Po pse në Gjermani e pse tani?

Partia Marksiste-Leniniste e Gjermanisë, MLPD ia ka dalë asaj që madje edhe në Rusi, pasuesin ligjor të Bashkimit Sovjetik duket e pamundur: Në Gelsenkirchen, qytetin gjerman do të vendoset një statujë e Leninit. Në RDGJ, shtetin komunnist që u rrëzua para 30 vitesh, ka pasur pafund imazhe e statuja të udhëheqësit të punëtorëve, në bronz dhe mermer, po ç’do Lenini në Republikën Federale kapitaliste? Në Perëndimin gjerman, Vladimir Iliç Uljanov, i thirrur Lenin nuk është parë deri më tani ndonjë monument i Leninit.

E pabesueshmja duhej të ndodhte që në mes të marsit, me rastin e 150-vjetorit të ditëlindjes së Leninit, që mbushet sot më 22 prill. Për festën e bolshevikut më të madh do të vinin miq të Leninit nga gjithandej thellë ne zemër të perëndimit gjerman me flamuj të kuq e banderola. Pikërisht në frymën e komunizmit, që e bëri njëherë një xhiro rreth botës.

Edhe Marxi e ka statujën në perëndim

Pararendësi i Leninit, Karl Marx lindi në Trier, afër 250 kilometra larg Gelsenkirchenit. Në Trier u vendos pas dy vjetësh një statujë bronzi e Karl Marxit. Republika Popullore e Kinës e dhuroi atë me rastin e 200 vjetorit për ta nderuar autorin e « Manifestit komunist”. Qytetarët e Trierit psherëtinë, do ishte një mungesë e madhe mirësjelljeje të refuzoje një dhuratë të tillë…

Por çfarë ka të bëjë Lenini me Gelsenkirchenin? Në këtë qytet jo shumë të madh gjerman ndodhet shtabi kryesor i partisë marksiste-leniniste, MLPD. Edhe qyteti i Gelsenkirchenit e kundërshtoi fillimisht ngritjen e statujës dy metra të Leninit. Sepse statuja do të ndikonte në imazhin e ndërtesave të shpallura si monument kulture, përveç kësaj, Lenini nuk është ndonjë figurë e ndriçuar historike. Por një gjykatë vendosi për Vladimir Iliçin, MLPD-ja u lejua të ngrinte monumentin.

Gjermanët dhe Lenini kanë një histori të komplikuar. Në vitin 1917 Lenini kaloi nga Zvicra me tren në një vagon të mbyllur përmes Gjermanisë, me miratimin gjerman. Lenini duhej të nxiste një revolucion në Rusi, gjë që ai e bëri, e madje me shumë pasoja. Tani 103 vite më vonë, Lenini është sërish i izoluar në një bodrum të Gelsenkirchenit, ku ai pret momentin e tij si statujë, por fanari që shpreson MLPD të ndizet nga Lenini, do duhet të presë.

MLPD – Vetëm pak deputetë

Partia MLPD nuk ka ndonjë ndikim në jetën politike në Gjermani. Në zgjedhjet e fundit të Bundestagut kjo parti arriti vetëm 01,% të votave. Vetëm në disa këshilla bashkiakë qëndrojnë disa deputetë të shpërndarë, por partia ka në zotërim vërtet shumë fonde, ndoshta nga donacionet.. Ajo është nën vëzhgim nga Mbrojtja Kushtetuese, sepse programi i saj është leninist dhe maoist, e me këtë konsiderohet si ekstremist.

Në zgjedhjet e vitit 2017 vetëm 35.760 gjermanë e vunë kryqin tek partia MLPD, që mban emrin e atij që Lion Feuchtwanger e quajti „Jezu Krishti i revolucionit rus” -Leninit. Feuchtwanger, poet gjerman dhe për një kohë mik i Stalinit, e vizitoi Leninin në mauzole në vitin 1936. Por Jezu Krishti u ngjit në qiell, jo Lenini.

Ka vdekur Lenini?

Një ligj i pashkruar në Gjermani thotë, se vetëm të vdekurve u ngrihen monumente. Gjë që të bën të shtrosh pyetjen: A ka vdekur vërtet Lenini… se ai nuk varroset kurrë? Sa e gjallë është filozofia e tij politike vrasëse, që edhe optimistët u duhej ta deklaronin të vdekur, kur u shpërbë shteti i tij, ai i Bashkimit Sovjetik? Kush kërkon përgjigje për këtë duhet që pas ca kohësh të shkojë në Gelsenkirchen.

Sepse kur virusit t’i jenë treguar kufijtë, dhe lejohet udhëtimi do vijë ora e leninistëve. Deri atëherë udhëheqësi i revolucionit duhet të konsiderohet viktimë e Coronës. Virusi vjen nga Kina, ajo fuqi, së cilës zor se i refuzohen dhuratat, dhe që bazohet krahas Marksit dhe Maos edhe tek Lenini. Në të ardhmen turistët-politikë duhet të pyesin veten: Trier apo Gelsenkirchen? Nuk ka rëndësi, rëndësi ka të jetë në bronz!/DW

 

Fraksion.com