AktualitetTë fundit

Rikthehet OFL: Bllokon 9 makina, sekuestrohet 1 pasaportë

Pas pushimit disa javor për shkak të pandemisë, rikthehet në veprim Operacioni Forca e Ligjit.

Sot është vendosur masa e sekuestros në kushtet e emergjencës për 9 automjete. Gjithashtu një lezhjani i është sekuestruar pasaporta për moslejimin e daljes jashtë shtetit. Por të kujt janë makinat që janë sekuestruar në kushtet e emergjencës me firmën e drejtorit të policisë së shtetit?

Njëri prej tyre rezulton që të jetë Eduart Dushkut banues në Farkë, i njohur edhe si i ‘forti’ i Saukut. Dushkut të njohur edhe me emrin Edison i janë bllokuar tre makina. Ai është i njohur jo vetëm për skedën e pasur kriminale, por edhe për ‘biznesin’ me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Ndërsa mes të tjerëve në listën e zezë të OFL-së 4 janë gra nga Korça dhe Gjirokastra, që u janë bllokuar makinat.

Lista:

– Tre automjete autovetura në pronësi të Eduart Dushkut banues në Farkë, Tiranë;
– Automjeti fuoristradë në pronësi të shtetasit G. K., banues në Maqellarë, Dibër;
– Automjeti Audi A6, në pronësi të shtetases V. H., banuese në Korçë;
– Automjeti  në pronësi të shtetases L. M., banuese në Lezhë;
– Automjeti  në pronësi të shtetasit A. G., banues në Gjirokastër;
– Automjeti në pronësi të shtetases E. K., banuese në  Gjirokastër;
– Automjeti në pronësi të shtetases L. K., banuese në  Gjirokastër;

Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, automjetet i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, ndërsa në fund është Gjykata e Posaçme që do të vendosë. Ndërkohë që pasaporta i është bllokuar në kushtet e emergjencës për të mos lejuar daljen jashtë vendit për një afat 6-mujor një personi nga Lezha. Policia e Shtetit deklaron se gjatë ditëve të fundit që nuk ka dërguar formularin për vetëdeklarimet ka vijuar punën për kopsitjen e dosjeve, ndërsa shton se “nëpërmjet strukturës së posaçme OFL, është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar’ mbyllet deklarata.

 

Fraksion.com