AktualitetKosovaTë fundit

Kurti paralajmëron se do t’i drejtohet Kushtetueses për çështjen e mandatarit

Kryeministri në detyrë i Republikës se Kosovës, njëherit lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se takimi i presidentit të Kosovës më liderët e partive politike, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se “formalizimi i deklarimeve të sotme pa dyshim do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese”.

“Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyll (v.j. presidenti Thaçi) me një dekret anti-kushtetues, ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe kompetencat që ja parashtron Kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizmi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese pa dyshim”, tha Kurti.

Komentet e Kurtit vijnë pas takimit që Presidneti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike, përshirë këtu edhe përfaqësuesen e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Mbi bazën deklarimeve të përfaqësuesve të partive politike, Thaçi tha se do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë partisë që garanton shumicën në kuvend. Kështu që në ditët e ardhshme, ka thënë ai, Kosova do të ketë qeveri te re dhe nuk do të ketë zgjedhje të reja.

Qeveria e Kosovës, e formuar mbi bazën e koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u votua në kuvend më 3 shkurt. Por, ende pa i mbushur dy muaj, këto parti nuk arritën të vazhdojnë koalicionin, çka u pasua me mocionin e mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike te Kosovës dhe të votuar edhe nga opozita, më 25 mars, 2020.

Që nga atëherë, Qeveria e Kosovës, sipas Kushtetutës është në dorëheqje, përkatësisht në detyrë.

 

Fraksion.com