Basha: Trumbetohen masat shtrënguese; Masat mbështetëse jo të mjaftueshme
Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se masat shtrënguese u trumbetuan me të madhe nga qeveria, por ndërsa për masat mbështetëse ka shumë pak veprim.
Basha tha se ka vende në rajon që kanë ecur shumë mirë përsa i përket shëndetësisë dhe ekonomisë në situatën e pandemisë.
“E para ka të bëjë me ekonominë, ku nëse ke pak testime do zbulosh pak infektime dhe një pjesë e madhe e të infektuarve dhe ata që kanë nevojë për kujdes shëndetësor nuk do përfundojnë në duart e mjekëve, por do kenë një fat më të keq dhe tjetra është pasojat ekonomike që sjellë kriza”, tha ai.
Basha shto se “ka dy mënyrë; t’i lësh të ndodhi çfarë të ndodhi, ku rafshim mos u vrafshim, u bëftë çfarë u bëftë me njerëzit apo t’i dalësh përpara të keqes dhe të vendosësh të gjithë burimet financiare dhe burimet e tjera të shteti në ndihmë të njerëzve në radhë të parë dhe në ndihmë të ekonomisë sepse në fund të fundit, njerëzit po vuajnë dhe ekonomia po vuan për shkak të masave që qeveritë dhe në këtë rast qeveria shqiptare ka imponuar që janë kryesish masat e karantinës, të izolimit social dhe të mbylljes së biznesit. Pra ka jo vetëm një detyrim moral po në rastin e Shqipërisë ka një detyrim ligjor që shteti t’i përgjigjet masave shtrënguese që ka marrë me masat ndihmuese”.
“Masat shtrënguese janë shpallur me tamtame të mëdha, janë ndryshuar dy apo tre herë brenda ditës, ndërsa te masat mbështetëse ka shumë fjalë dhe shumë pak veprim dhe për shkak të kësaj pesë javë pas karantinës gjendja e shumë familjeve shqiptare është kritike përsa i përket mundësive ekonomike, ndërkohë që sipërmarrja shqiptare si biznesi i vogël apo qoftë biznesi prodhues si fasonet, turizmi, fermerët janë në ditën e tyre më të zezë”, tha ai.
Në lidhje me mbylljen e fasonëve, Basha tha se “ne nuk themi thjeshtë të hapim ekonomin, por ekonomia e mbyllur për shkak të masave të mbështetet me subvencione dhe shteti të zgjidhë qese, në ato para që jua jep oligarkëve, t’i ktheje në subvencione për pagat e punonjëse që nuk i marrin apo i marrin të reduktuara për shkak se biznesi ka qenë i mbyllur apo me xhiro të reduktuara, por dhe për biznesin, për dy arsye. E para; se biznesi ekonomia, sipërmarrja dhe punonjësit janë dëmtuar për shkak të masave që ka marrë qeveria, pra qeveria është përgjegjëse për këto masa sepse edhe ligji për Emergjencat Civile e parashikon qartë dhe prandaj kemi insistuar që kjo gjendje të shpallej që qeveria të kishte mundësinë ligjore që burimet e buxheti të shteti t’i çojë për të mbështetur me para, pagat dhe bizneset. Dhe së dyti; në qoftë se nuk bëjmë këtë çfarë ndodh: Rënia e konsumit që sjellë një rënie të përgjithshme të gjendjes ekonomike, që sjellë bjerrje të mëtejshme të besimit, do na sjellë një dëm shumë të madh”.
Ai tha se e vetmja rrugë si në rajon është që qeveria të braktis çdo shpenzim të panevojshëm dhe këto para t’i çojë tek qytetarët në nevojë dhe tek ekonomia.
Sa i përket situatës politike, Basha tha se kemi një dokument europian për të dalë nga kriza dhe asgjë nuk na pengon të ushtrojmë presionin tonë.
“Detyra e opozitës është të ushtrojë të gjithë presionin e mundshëm së bashku me faktorët e tjerë të shoqërisë që qytetarët të marrin atë që u takon. Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin dhe pa diskutim që nuk ka asnjë pengesë as kushtetuese dhe as ligjore, veçanërisht në një vend ku Kushtetuta dhe ligji prej kohësh janë nëpërkëmbura nga qeveria, por as morale që qytetarët media, biznes të bashkohen në të gjitha format për t’u imponuar dhe detyruar për të bërë atë që ju thotë ligji dhe Kushtetuta”, tha ai.
Fraksion.com