AktualitetBota+Të fundit

Rusi, 50 mijë raste me COVID-19 dhe rreth 500 të vdekur

Numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Rusi ka shkuar në mbi 50 mijë, kurse numri i të vdekurve ka arritur në afër 500, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjithsej 5.642 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 52.763, thuhet në njoftimin e Shtabit të Urgjencës së Koronavirusit të Rusisë.

Numri i të vdekurve arriti në 456 pasi 51 viktima u raportuan që nga e hëna, ndërsa numri i të shëruarve u rrit me 427 në 3.873.

Gati gjysma e pacientëve të rinj, apo 45,5 për qind, ishin asimptomatikë dhe u diagnostikuan përmes testimit, tha shtabi.

Kryeqyteti Moska mbetet zona më e goditur, duke përbërë më shumë se gjysmën ose 3.083 nga rastet e reja.

Rusia ka rritur testimet në gjithë vendin dhe ka kryer më shumë se 2,53 milionë teste deri më tani, duke u radhitur e dyta pas SHBA-së.

Mosha mesatare e pacientëve me COVID-19 në Rusi është 47,9 vjet për gratë dhe 44,7 për burra, shtohet në njoftim.

Fëmijët nën 17 vjeç përbëjnë 7,6 për qind të totalit të pacientëve, një shifër në përputhje me tendencat globale, ndërsa grupmosha 65 vjeç e lart përbën 15.5 për qind, që është më e ulët për shkak të masave të hershme për të mbrojtur popullsinë e moshuar, tha shtabi.

Pa ndonjë ngritje të konsiderueshme, numri i rasteve kritike mbetet në 1.000-1.300 në ditë, thuhet më tej.

Të hënën, presidenti Vladimir Putin tha se situata mbetet e vështirë pasi virusi është përhapur nga Moska në të gjitha 85 rajonet e Rusisë.

Ai tha se autoritetet kanë bërë përparim në përpjekjet për të ngadalësuar përhapjen, por piku i vdekjeve nga COVID-19 në vend nuk ka mbërritur akoma.

Koronavirusi i ri është përhapur në gjithë botën që prej shfaqjes së parë në Kinë dhjetorin e kaluar.

Më shumë se 2,48 milion raste janë raportuar në gjithë botën, me mbi 170.500 të vdekur dhe rreth 653.800 të shëruar, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.

 

Fraksion.com