“Pesë javë në karantinë”; Basha: Problemi i qeverisë është se s’ka plan
Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha mbrëmjen e sotme në një lidhje televizive në top channel se “jemi vendi me testimet më të ulëta në rajon, Europë dhe botë dhe nuk kemi një situatë të qartë të të infektuarve në vend, pasi qeveria fsheh të dhënat për situatën e COVID-19”.
Duke folur në lidhje me masat e qeverisë për COVID-19, Basha tha se “ka 2000 vjet që bota përdor karantinën në rast infeksioni dhe vetizolimi është një sakrificë e qytetarëve që duhet mbështetur”.
“Ne kemi dy probleme madhore. E para, sa të besueshme janë të dhënat zyrtare, a janë të plota apo një pjesë dhe këtë ne nuk mund ta dimë kur jemi vendi me testimet me të ulëta në botë dhe me të ulëtat në Europë. Maqedonia me testime dy herë më shumë se ne arrin të shohë situatën. Qeveria shprehet se kjo është luftë, atëherë me saktësi duhet të dimë ku është armiku? Dhe ketë ne nuk mund ta dimë me nivelin aktual të testimeve që është i ulët, ndonëse pak më i rritur se disa javë më parë, por vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon dhe kështu nuk arrin të dihet saktësisht në çfarë gjendje është infeksioni”, u shpreh Basha.
Basha shtoi se sa më shumë testohet, aq më shumë të infektuar konstatohen. “Këtë e pamë në Shkodër dhe në dy territore të reja në Krujë dhe Kurbin, ku janë infektuar 67 persona në fasoneri, ku paraqet dhe nevojën për t’i mbyllur, kërkesë që ne ia kemi bërë qeverisë”.
Po ashtu Basha tha se qeveria nuk ka një plan, nuk ka një analizë të qartë pas pesë javësh.
“Problemi i qeverisë është se s’ka plan. Pesë javë në karantinë nuk ka plan nuk ka strategji për t’u përballur me këtë situatë dhe për të dalë nga situata. Pas pesë javësh ka ardhur momenti të bëjmë një bilanc. Kemi 5 javë që japim rekomandimet tona, kemi fokusuar energjinë tonë për të shpëtuar jetën e shqiptarëve dhe kurrë nuk kemi menduar ta përdorim këtë situatë politikisht, por kjo nuk do të thotë se kjo situatë të mbetet pa analizë dhe kjo tregon dy gjëra: Së pari, tregon se qeveria për një kohë të gjatë humbi kohë të vlefshme për të marrë masat e nevojshme. Dhe më vonë u përdor emergjenca për të bërë tendera sekretë që rezultojnë se janë tendera korruptivë e me probleme të mëdha, ku në kohë pandemie, kiti apo tamponi testues është blerë katërfish, pra mund të testoheshin katër herë më shumë qytetarë. Qeveria pretendon se ka strategji për t’i mbajtur testimet në këtë nivel. E vërteta është se Shqipëria kurrë nuk kishte një stok të mjaftueshëm. Kjo tregon se për sa kohë nuk kemi testime jemi në kushte e një regjimi që monopolizon dhe fshehë të dhënat”, tha ai.
Basha tha se ligji në situatë emergjente nuk parashikon të mbahen sekret tenderat e pajisjeve mbrojtëse në shëndetësi.
“Tenderat janë sekret vetëm për çështje të sigurisë kombëtare, kur blen raketa dhe mitralozë. Qeveria ka shkelur ligjin, sepse ligji nuk parashikon të fshehësh numrin e kiteve apo të fshehësh çmimin e pajisjeve mbrojtëse”, tha ai.
Fraksion.com