Mbretëri e Bashkuar, me 828 viktima të reja numri i vdekjeve nga COVID-19 rritet në 17.337
Mbretëria e Bashkuar ka raportuar 828 viktima të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve nga ky virus në vend rritet në 17.337.
Departmenti i Shëndetësisë raportoi se deri më tani gjithsej janë testuar 397.670 persona, nga të cilët 129.044 kanë rezultuar pozitiv.
Në konferencën e rregullt për media, sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se një miliard pajisje personale mbrojtëse u janë dorëzuar punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Hancok theksoi se qeveria po jep fonde 22 milionë paund (27 milionë dollarë) për universitetin hulumtues publik “Imperial College London” për fazën e dytë të testimit për një vaksinë kundër koronavirusit, si dhe 20 milionë paund (24 milionë dollarë) Universitetit Oxford për të përshpejtuar testimet e tyre.
Vaksina e Universitetit Oxford të enjten do të fillojë testimin tek njerëzit.
Më herët gjatë ditës, udhëheqësi i partisë opozitare laburiste, Sir Keir Starmer, për BBC tha se, “Ajo që ne po shohim këtu është një hendek në rritje midis asaj që qeveria thotë ose mendon se po ndodh dhe asaj që vija e parë po na tregon”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, gjatë ditës realizoi një telefonatë me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi zëdhënësi i kryeministrit, duke theksuar se “pasdite kryeministri bisedoi me presidentin Trump dhe e falënderoi për urimet e mira përderisa ai ishte i sëmurë”.
“Udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e një reagimi të koordinuar ndërkombëtar ndaj koronavirusit, duke përfshirë përmes G7-tës me të cilën aktualisht kryeson SHBA. Ata po ashtu diskutuan vazhdimin e bashkëpunimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve në luftën kundër pandemisë. Udhëheqësit u zotuan të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përforcuar marrëdhëniet tona dypalëshe, duke përfshirë edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i kryeministrit britanik.
Deputetët në Parlament votuan në favor të seancave virtuale në mënyrë që parlamenti të rikthehet në mënyrë të sigurt në mes të shpërthimit të pandemisë.
Mbi 50 nga 650 deputetë të Mbretërisë së Bashkuar do të jenë në gjendje të marrin pjesë fizikisht në Dhomën e Përfaqësuesve duke respektuar procedurat e rrepta të distancimit shoqëror, ndërsa mbi 120 deputetë në procedurat parlamentare do të marrin pjesë përmes videove online të vendosura në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Duke inicuar një zgjidhje hibride, me hapa drejt një parlamenti krejtësisht virtual, ne po mundësojmë anëtarët të qëndrojnë pranë komuniteteve të tyre, përderisa vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme duke vëzhguar qeverinë. Unë nuk dua që anëtarët dhe stafi i shtëpisë të rrezikojnë veten. Duke punuar në mënyrë virtuale, ky është kontributi ynë për udhëzimin e qëndrimit në shtëpi, mbrojtjen e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit dhe shpëtimin e jetëve”, deklaroi kryeparlamentarja Lindsay Hoyle.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 ka tejkaluar shifrën 2.5 milionë, me rreth 172 mijë viktima dhe rreth 660 të shëruar.
Fraksion.com