Marrëveshja e re i mundëson KOSTT-it “pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari kanë vizituar të martën udhëheqësit e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), pasi ky i fundit ka dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe i është bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.
Në një komunikatë drejtuar mediave, kryeministri në detyrë Kurti është cituar të ketë konsideruar nënshkrimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes, të një rëndësie të veçantë për Kosovën.
Ndërkohë kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, është cituar të ketë thënë se:
“Kjo Marrëveshje i hap rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike si dhe pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë (APEX)”.
Ministrja në detyrë Hajdari ka bërë të ditur të hënën nënshkrimin e marrëveshjes së re.
Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, ka thënë më herët se arsye kryesore e mosaktivizimit të kësaj linje ka qenë Serbia, e cila, sipas tij, nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Energjinë, të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi inkasimi i tarifave të transmisionit të energjisë që kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga shteti i Serbisë në emër të Kosovës.
Fraksion.com