Kinematografia shqiptare humb “Komisarin e Dritës, “Artistin e Merituar”, Rikard Ljarjan
Kinematografi shqiptare ka humbur një nga kolosët e saj, artistin e madh, Rikard Ljarja.
Aktori, regjisori, skenaristi dhe “Artist i Merituar”, Rikard Ljarja u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 77-vjeçare.
Komisari i Dritës, fillërojtësi Dede, marinari Skënder Guri, janë disa nga personazhet që do të ngelen të skalitura në memorien e kinematografisë dhe popullit shqiptarë.
I lindur në 1 prill të 1943 në Shkodër, Ljarja nuk rreshti së krijuari në prozë ngjarje, personazhe, skenarë, pa harruar kurrë rrëfimet e dashurisë për Shkodrën, vendlindjen e tij.
Me lojën, portretin, zërin dhe talentin e tij, Rikard Ljarja ishte një nga aktorët më të dashur.
Nga viti 1965 deri më 1973, Ljarja ka interpretuar në rreth 30 role në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku pjesa më e madhe ishin role kryesore.
Shumëkush e kujton si Deda mbi shtyllë në “Rrugët të bardha”, por rolet e tij, me të cilët identifikohet janë edhe shumë e shumë të tjerë. Komisari te “Kur zbardhi një ditë”, mësuesi Dritan Shkaba te “Komisari i dritës”, Rrema në “Shtigje lufte”, Skënder Guri te “Duel i heshtur”, Perlat Pëllumbi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Gaqo tipografi në “Rrugicat që kërkonin diell”, inxhinier Tosi në “Ilegalët” e filma te tjerë, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha”. Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”.
Me duartrokitje dhe lot në sy, për shkak edhe të situatës së krijuar nga COVID-19, vetëm pak miq, kolegë dhe të afërm, përcollën sot për në banesën e fundit aktorin Rikard Larja, i cili do të prehet në vendlindjen e tij, në Shkodër, duke çuar në vend amanetin e tij.
Filmografia
Viktimat e Tivarit (1996)
Fletë të bardha – (1990) Shoku Emir
Pesha e kohës – (1988), Vasili
Rrethi i kujtesës – (1987), Mjeku
Në prag të jetës – (1985), Andrea
Pranverë e hidhur – (1985) Xha Teli
Skëterrë ’43 – (1980), Andrea
Radiostacioni – (1979) Komandanti
Në pyjet me borë ka jetë – (1978), Luka
Ilegalët – (1976) Tosti
Në fillim të verës – (1975) I deleguari i qarkorit
Rrugicat që kërkonin diell – (1975) Gaqo Tipografi
Rrugë të bardha – (1974) Deda
Shpërthimi – (1974) Inxhinjer Iliri
Ndërgjegja – (1972) Fitimi
Yjet e netëve të gjata – (1972)……xhandari
Kur zbardhi një ditë – (1971) Komisari
Plagë të vjetra – (1968)…….Naimi
Ngadhnjim mbi vdekjen – (1967)..Perlati
Fraksion.com