“Firmat e EBA-së u dërguan 11 mijë tonë karburant avionësh forcave të Haftarit në Libi”
Firmat e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) u kanë transferuar 11 mijë tonë karburant avionësh milicive të gjeneralit renegat Khalifa Haftar, duke shkelur embargon ndërkombëtare të armëve, shkroi gazeta britanike Financial Times, transmeton Anadolu Agnecy (AA).
Sipas raportimit të gazetës, Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e njohur nga OKB ka bërë një hetim mbi kompanitë prapa cisternës së naftës me emrin “Gulf Petroleum 4” me flamur të Liberisë të konfiskuar në fund të muajit të kaluar në afërsi të Misratas.
Sipas dokumenteve të shikuara nga gazeta, forcat e GNA-së kanë mësuar se firmat me bazë në EBA muajin e kaluar kanë dërguar 11 mijë tonë karburant avionësh në qytetin e Bengazit të kontrolluar nga milicitë e Haftarit.
Stephanie Williams, e dërguara speciale e OKB-së në Libi, tha për gazetën se OKB e konsideron karburantin e avionëve si “furnizim luftarak” dhe dërgesa në Libinë lindore mund të përbëjë shkelje të embargos së armëve.
Duke vënë në dukje se Korporata Kombëtare Libiane e Naftës, furnizuesi zyrtar i naftës në Libi, vend me rezervat më të mëdha të provuara të naftës në Afrikë, siguron karburant avionësh për fluturimet komerciale në lindje të vendit, Williams tha se një import i këtillë i paligjshëm “me gjasë është kryer për t’u përdorur nga forcat ajrore të Haftarit”.
Zyrtarët e OKB-së që kanë folur për gazetën kanë konfirmuar se kompanitë e përfshira në këtë rast janë të regjistruara në EBA dhe se karburanti është ngarkuar në territorin e EBA-së, por nuk kanë pranuar të konfirmojnë emrat e firmave.
Sipas dokumenteve, firma që vërehet me emrin Afrifin si furnizuese e karburantit është e regjistruar nën Emiratin Sharika të EBA-së, ndërsa cisterna me flamur të Liberisë me emrin “MT Gulf Petroleum 4” vërehet se i përket kompanisë – Shërbimet e Transprotit Detar të Gjirit (Gulf Shipping Services).
Në lajm thuhet se firmat nuk kanë faqe interneti dhe nuk mund të kontaktohen përmes telefonit dhe se karburanti ka zbarkuar ne Bengazi më 16 mars.
Në dokumene, klient i karburantit vërhet një kompani me emrin Libyan Express Airlines, ndërkohë që Libyan Express, kompania që menaxhon ambualancat ajrore në perëndim të Libisë, nuk ka aktivitete në Bengazi dhe për gazetën ka thënë se nuk kanë dijeni për një dërgesë të tillë.
Deklaratë nga Korporata Kombëtare Libiane e Naftës
Korporata Kombëtare Libiane e Naftës, në një deklaratë për gazetën, nënvizoi se importimi i karburantit nuk ka asnjë aspekt që mund të shpjegohet me përdorimin civil, duke shtuar se ata kanë siguruar 73.000 tonë karburant avionësh për lindjen e vendit vitin e kaluar për fluturimet komerciale, përkundër faktit se trafiku i linjës ajrore komerciale ka rënë për shkak të konflikteve në vend.
Duke theksuar se kjo korporatë është institucioni i vetëm përgjegjës për importin e naftës, ajo theksoi se ka plotësuar nevojat për karburant avionësh nga rafineritë e saj dhe se ka bërë edhe importe në raste nevoje, por shtoi se “nuk ka pasur mungesë të karburantit të avionëve gjatë viteve të fundit”.
Administrata e Abu Dhabit, e cila ka zbatuar politika shkatërruese në rajon, është ndër mbështetësit kryesorë të Haftarit në sferat financiare, ushtarake dhe politike. Më herët është zbuluar se EBA ka rekrutuar sudanezë si mercenarë për të luftuar në Libi duke u premtuar punë në kompaninë e sigurisë.
Raporti i SIPRI-t
Sipas raportit të Institutit Ndërkombëtar të Studimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) që përfshin vitet 2015-2019, EBA ka qenë një nga vendet më të dalluara në transferimin e armëve dhe pajisjeve për Haftarin.
Raporti thekson se EBA, e cila i ka siguruar forcave të Haftarit një numër të madh dronësh të armatosur, gjithashtu ka blerë helikopterë luftarakë nga Bjellorusia dhe i ka transferuar ato te milicitë e Haftarit në Libi.
Në median ndërkombëtare shpesh është raportuar se mosnëshkrimi i marrëveshjes së armëpushimit nga ana e Haftarit më 12 janar pas thirrjes së përbashkët të Turqisë dhe Rusisë ka ndodhur si pasojë e sugjerimeve të EBA-së.
Pas dështimit të armëpushimit midis palëve, EBA kishte dërguar qindra avionë ushtarakë për të përforcuar milicitë e Khalifa Haftarit.
Ende mbetet e panjohur nëse mbështetja e EBA-së, e cila ka një ekonomi të bazuar në eksportet e naftës, do të vazhdojë në të njëjtin nivel pasi çmimet e produkteve energjetike ranë në nivele rekord në gjithë botën.
Fraksion.com