AktualitetKosovaRajoniTë fundit

COVID-19: Një aeroplan me 103 shtetas turq niset nga Prishtina drejt Ankarasë

Në kuadër të operacioneve të Turqisë për kthimin e qytetarëve të saj në vendlindje në mes të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), në organizim të Ambasadës së Turqisë në Kosovë një aeroplani me 103 shtetas turq është nisur nga Prishtina drejt Ankarasë.

Qytetarët e moshave të ndryshme me nënshtetësi turke, që vepronin dhe jetonin përkohësisht në Kosovë dhe Shqipëri, drejt Ankarasë janë nisur me avionin “Turkish Airlines”.

Duke respektuar masat e autoriteteve të shëndetësisë, ata kaluan procedurat në sportelet “check-in” me maska e doreza dhe me flamuj të Turqisë.

Ndër 103 personat, 28 jetonin në Shqipëri. Ata mëngjesin e sotëm erdhën nga Tirana në Prishtinë për t’u bashkuar në fluturimin drejt vendlindjes së tyre.

Zeyrek Oduncu, shtetasi turk nga Stambolli, tha se po largohet nga Kosova me vetëdëshirë, për arsye se në Kosovë është mbyllur biznesi i tij. Megjithatë, thotë ai, kur të përfundojë pandemia ndoshta përsëri do të kthehet në Kosovë.

“Për arsye se na është ndalur këtu puna, Republika e Turqisë na siguroi një avion si mundësi të fundit. Shkojmë tek fëmijët, familjarët tanë. Kur do të përfundojë kjo, ndoshta kthehemi përsëri. Në Stamboll zhvillojmë prodhimtari të tekstilit, ndërsa këtu erdha për të hapur dyqan me pakicë. Por, kthehem pa e bërë këtë punë. Sa u rregulluam, gjithçka u anulua”, tha Oduncu.

Po ashtu edhe qytetari turk Hüseyin Demir tha se po largohet nga Kosova për shkak të mbylljes së biznesit të tij.

“Për shkak të masave të marra kundër COVID-19 të gjitha bizneset në Kosovë janë të mbyllur. Edhe ne e ndaluam punën. Preferuam të shkojmë në vendlindje, në vend se të qëndrojmë këtu. Nuk mund të punojmë, prandaj nuk ka kuptim të qëndrojmë këtu”, tha Demir.

Turqia gjatë javëve të fundit ka kryer operacione për kthimin në vend të shtetasve turq të bllokuar në vende të ndryshme shkaku i masave të marra nga qeveritë kundër përhapjes së COVID-19 në vende të ndryshme./AA

 

Fraksion.com