AktualitetEkonomiTë fundit

“Zonë e pavarur kontrolli”; Miratohet marrëveshja për njohjen e Operatorit të Transmetimit të Kosovës

Operatorët e Transmetimit të Europës Kontinentale shprehën sot vullnetin e tyre për nënshkrimin e Marrëveshjes së Lidhjes midis KOSTT dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).

Aprovimi në parim dhe më pas nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm për KOSTT sh.a në rrugëtimin për shfrytëzimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, njësoj si të gjitha vendet e tjera të Europës në zbatim të standardeve europiane për operimin e Sistemit.

Nëpërmjet njohjes së KOSTT dhe operimit si zonë kontrolli e pavarur, brenda një blloku rregullues me OST do të jetë e mundur hyrja në fuqi e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet OST dhe KOSTT, duke rritur sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjetik dhe optimizimin e burimeve të përbashkëta.

Po ashtu bëhet e mundur vënia në operim të linjës 400 kV Shqipëri-Kosovë, aset i përfunduar që në vitin 2016 si dhe rritja e shkëmbimeve tregtare dhe krijimi i lehtësirave për tregtarët e energjisë elektrike për të kryer transaksione në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Përmes marrëveshjes sigurohet nxitja e iniciativave rajonale për bashkimin e tregjeve të energjisë, të cilat parashikohet të sjellin dhe një ulje të çmimeve të energjisë për konsumatorët, si dhe nxitja e iniciativave rajonale të optimizimit të përdorimit të energjisë balancuese, në kuadër të Kodit Europian të balancimit.

Marrëveshja siguron uljen e humbjeve teknike në sistemet e transmetimit respective si dhe shtimin e kapaciteteve transmetuese të OST ku nëpërmjet investimit të ri të planifikuar të linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni, OST do të jetë e ndërlidhur me të gjithë Operatorët e Transmetimit të vendeve fqinje nëpërmjet rrjetit 400 kV, i cili ofron një besueshmëri të lartë në operimin e sistemit elektroenergjetik.

 

Fraksion.com