AktualitetTë fundit

Përcillet ekipi i dytë mjekësor që ndihmon Italinë; Manastirliu: 60 infermierë që do të jenë së bashku

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e shoqëruar edhe nga ambasadori Italian në Shqipëri, Fabrizio Buccin ka përcjellë grupin e dytë mjekësor në nisje të misionit të tyre në ndihmë të vendit fqinjë.“Së pari, dua t’iu falenderoj për të gjithë atë që ju po bëni, për faktin që keni pranuar menjëherë të bëheni pjesë e misionit tonë të dytë, e misionit humanitar, një mision në kuadër të solidaritetit që tashmë është pjesë dhe është prioritet kyç në luftën kundër COVID-19. Pra solidariteti është ai që na mban dhe na bashkon të gjithëve bashkë në këtë luftë. Unë dua që t’ju falënderoj dhe jam e bindur se siç na bën krenarë grupi i parë i mjekëve dhe infermierëve që u nisën në Itali për të ndihmuar popullin italian në këto momente të vështira, ashtu edhe ju do të na bëni krenarë. Ju falënderoj në emër të Kryeministrit!”

Më tej, Manastirliu tha se “ju jeni 60 infermierë që do të jenë së bashku me mjekët italianë në frontin e luftës. 30 mjekët dhe infermierët do të rikthehen në vend, ndërkohë që ju do të vijoni misionin e solidaritetit. Jemi krenarë për ju. Është një moment për të treguar solidaritet, shpresë për të gjithë popullin tonë, por edhe për popullin mik italian, i cili na ka mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve. Është me pakta që mund të bëjmë për një popull mik”.

Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes së infermierëve, shprehu falënderim dhe mirënjohje për Shqipërinë për këtë akt solidariteti.

“Dua t’ju falënderoj për këtë gjest të jashtëzakonshëm zemërgjerësie. Populli italian nuk do ta harrojë kurrë këtë. Miqtë duken në momentet e vështira dhe ju jeni luftëtarë në vijën e parë me këtë armik të padukshëm. Faleminderit nga zemra, faleminderit nga ana e të gjithë popullit italian. Faleminderit Kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu!”

Pas grupit të parë prej 30 mjekësh dhe infermierësh, ky është grupi dytë i përbërë prej 60 infermierësh që do të shërbejnë në veri të Italisë, në zonat më të goditura nga COVID-19.

 

Fraksion.com