“Njësh me popullin dhe qeverinë”; Rama: Presidenti po bën gjënë e duhur në betejën kundër COVID-19
Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot kërkesat e opozitës për anulimin e koncesioneve të inceneratorëve si këngë e vjetër.
“Është këngë e vjetër kështu që nuk kam një përgjigje të re për atë këngë”, tha Rama në një intervistë televizive.
I pyetur sesi e shikon bashkëpunimin me Presidentin Meta në këtë situatë që po kalon vendi, Rama tha se “përplasjet e mëparshme kanë qenë të diktuara nga pozicionet e mëparshme për një situate të mëparshme dhe për tema që kanë qenë të mëparshme. Po të ktheheshim aty ne nuk do t’i ndryshonim asgjë pozicioneve tona. Por nga ana tjetër është një situatë tjetër dhe pozicioni i presidentit në këtë situatë, nuk lë asgjë për të dëshiruar. Përkundrazi ka qenë që nga dita e parë një pozicion për të së vërtetës në konformitet të plotë me rolin që sipas meje dhe sipas nesh i takon të luajë presidentit dhe me një përmasë përgjegjshmërie dhe njerzillëku që është për t’u respektuar plotësisht dhe që ka munguar përpara se të fillojë kjo situatë”.
Rama ka thënë që “të mos merremi me çfarë iku, por të merremi me çfarë kemi sot. Se çfarë vjen do ta shikojmë, por sot kemi një situatë ku të gjithë duhet të jemi bashkë, ku nuk po luftojmë për vota, po luftojmë për jetën e njerëzve. Ku po të shikoni edhe botërisht, por edhe në Europë të gjitha opozitat që kanë vazhduar këngën, kanë rënë ndjeshëm në sytë e opinionit publik dhe fjala vjen opozita portugeze, apo opozita spanjolle, apo opozita daneze, janë rritur sepse janë bërë njësh me qeverinë. Janë bërë njësh me qeverinë për të përballuar këtë situatë, jo janë bërë njësh me qeverinë për t’iu servilosur qeverisë”.
“Presidenti, i cili deri përpara kësaj situate ishte bërë njësh me opozitën, tani është bërë njësh me popullin dhe qeverinë, dhe me misionin e tij, dhe unë nuk shoh asnjë arsye për të mos e thënë me zë të lartë që po bën gjënë e duhur dhe respekt për këtë që po bën”, është shprehur Rama.
“Unë i kam kërkuar kryetarit të opozitës, falë tryezës së organizuar nga Presidenti, që është një gjë tjetër shumë pozitive bërë në këtë kohë, sepse normalisht, po ta shikosh ngushtë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë situatë. Por, po ta shikosh gjerë dhe përtej interpretimit të ngushtë, Presidenti bëri gjënë e duhur dhe ftesa e kryetarit të opozitës në atë tryezë, është përtej formatit të atij Këshilli, nga pikëpamja formale, por Presidenti e mori atë nismë, kërkoi dhe një lloj aprovimi po themi, sepse mund të thoshim ‘jo nuk duam ne, ç’punë ka këtu kryetari i opozitës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare’ dhe ne e dhamë menjëherë dhe në atë tryezë i kam thënë kryetarit të opozitës: Nëse sinqerisht do të bashkëpunosh, nëse sinqerisht do të kontribuosh, nuk ka nevojë të helmosh njerëzit dhe të krijosh më shumë stres se ç’kanë, dhe kanë shumë në këtë moment, duke dalë dhe duke folur për maskat e helmuara e për gjëra të cilat le të themi, i keni kuptuar gabim. Fillimisht na kërkoni çdolloj informacioni dhe na kërkoni t’ju themi pse ne e mendojmë se kjo është kështu apo kjo ashtu, pastaj ju mund të dilni të thoni çfarë të doni”, u shpreh Rama.
“E dyta, nuk ka nevojë, është e dëmshme të dilni të flisni për fshehje të numrit të të vdekurve, një marrëzi dhe ligësi e madhe e shprehur për qëllime banale politike. Apo të dilni dhe të flisni për të dhëna nga populli për tamponë që bëhen politikisht, apo lloj-lloj broçkullash. Juve na u drejtoni neve 24 orë në 24 dhe ne ju japim çdo informacion zyrtar, plus qëndrimin tonë, plus jozyrtar, pastaj juve mund të gjykoni nëse duhet apo s’duhet të pranoni versionin tonë dhe pastaj mund të dilni. Po që të dilni dhe të flisni lloj-lloj çudirash dhe lloj-lloj gënjeshtrash dhe pastaj të thoni ‘jo po kështu e dinim ne’, këto nuk janë bashkëpunim”, ka theksuar Rama.