Mumbai, 53 gazetarë testohen pozitiv ndaj COVID
Të paktën 53 gazetarë në Mumbai, shumica e të cilëve janë të punësuar në një kanal televiziv lajmesh, janë testuar pozitiv ndaj koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Nga 167 gazetarë të testuar gjatë fundjavës nga Korporata Komunale Brihanmumbai, çdo i treti është testuar pozitiv.
Në një konferencë për media, sekretari i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë, Luv Aggarwal, zhvillimin e quajti “fatkeq” dhe theksoi nevojën për të qëndruar brenda, përveç nëse dalja është “absolutisht e nevojshme”.
“Ne fuqishëm kërkojmë që të gjithë gazetarët të ndjekin mbrojtjen gjatë thirrjes së tyre të detyrës. Ne do t’i ndjekim kriteret e marrjes së mostrave, kushdo që duhet të testohet do të testohet”, tha Aggarwal për AA, i pyetur nëse do të testohen të gjithë gazetarët.
Shumica e gazetarëve që testohen pozitiv janë raste asimptomatike.
Rastet dolën në dritë pasi një gazetar i moshuar i qytetit, Ashok Bagriya, shkroi në twitter se një ekip i tërë ishte testuar pozitiv. Ai kërkoi nga shtëpitë e mediave që të lehtësojnë gazetarët.
“Gazetarët u ekzaminuan nga BMC. Delhi duhet të drejtojë, është e rëndësishme të testoni gazetarët në terren. A do të paguajnë tani shtëpitë e mediave për shpenzimet mjekësore, humbjen e punës dhe traumat mendore të shkaktuara për gazetarët dhe familjet e tyre”, shkroi Bagriya.
Deri më tani shteti Maharashtra është prekur më shumë nga koronavirusi, me gjithsej 4.203 raste të konfirmuara dhe 223 vdekje. Ky komb i Azisë Jugore gjithsej ka regjistruar 17.615 raste dhe 559 vdekje.
Duke folur për AA, Gurbir Singh, drejtuesi i komitetit të Klubit të Shtyput Mumbai, tha se ata po bëjnë presion që gazetarët të mbahen larg fushës.
“Ne po mundohemi të gjejmë një mënyrë për t’i detyruar gazetarët të punojnë nga shtëpia. Nëse kjo vazhdon, ne do të kërkojmë sigurim mjekësor më të madh për ta dhe mjete paraprake po ashtu”, tha Singh.
Singh tha se kompanitë dhe qeveritë duhet të hartojnë një plan të tillë që më shumë gazetarë të mund të punojnë nga hapësira të sigurta, përfshirë videografët dhe fotografët të cilët janë më të rrezikuar.
Fraksion.com