E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Një qeveri për menaxhim të pandemisë apo për dialog?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duket se ka ndarë mendjen se cilin nen të Kushtetutës do ta zbatojë në mes dilemave për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme pas pandemisë së koronavirusit. Thaçi, e ka bërë tashmë publik qëndrimin e tij, përmes një postimi në Twitter, duke lënë të nënkuptohet se ai do të zbatojë nenin 95 të Kushtetutës për formimin e qeverisë së re, veprim ky që pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale më 25 mars të këtij viti.

Përmes postimit në Twitter, Thaçi ka bërë të ditur se do të zbatojë formën e njëjtë të zgjedhjes së qeverisë pas mocionit që përdoret edhe pas zgjedhjeve të lira. Kjo formë, që përcaktohet me nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës parasheh që presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend për të formuar qeverinë.

Afatet e Thaçit dhe ‘zvarritjet’ e Kurtit

Ndonëse në nenin 95 të Kushtetutës thuhet se presidenti zhvillon takime me partinë apo koalicionin fitues, Thaçi ka takuar edhe partitë tjera të përfaqësuara në Kuvend.

Po ashtu, Thaçi ka zhvilluar tashmë takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes, si parti fituese e zgjedhjeve. Në mungesë të propozimit të emrit për mandatarin e ri, tri herë rresht, Thaçi i ka kërkuar Kurtit dhe Vetëvendosjes ta caktojnë emrin e mandatarit për kryeministër. Në Kushtetutë thuhet se “kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e kuvendit”.

Por, aktualisht ky afat ligjor mbetet i diskutueshëm, pasi që Vetëvendosje nuk e ka caktuar mandatarin.

Pavarësisht këtij fakti, Thaçi ka shkruar se këtë javë “do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga parlamenti, e aftë për të luftuar COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit”.

 

“Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën”, ka shkruar ai, duke dhënë kështu një mesazh të qartë se qeveria e re duhet të jetë e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare paqësore mes dy vendeve, kërkesë kjo e SHBA-së dhe e BE-së.

Formimin e qeverisë së re e cila do të shfuqizonte reciprocitetin ndaj Serbisë dhe te vazhdonte dialogun, e ka mirëpritur si ide edhe ambasadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i administratës së presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

“Posa të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, ka shkruar Grenell.

Por, paqartësitë e shumta kushtetuese, i lënë të hapura dilemat nëse qeveria e re do të mund të formohej brenda javës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të hënën në Prishtinë se Thaçi po përpiqet t’i tejkalojë kompetencat që i ka, duke u munduar të imponojë zgjidhje e vullnet politik.

“Unë jam kryeministër në detyrë, por shteti ka një president jashtë detyrës me këtë intencën për të formuar dhe drejtuar vullnet politik në Kosovë. Presidenti është një figurë ceremoniale, le të themi noter shtetëror i cili nuk është një nga shtyllat e pushtetit”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, menjëherë pas pandemisë së koronavirusit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe të ndërpritet synimi për formimin e qeverisë pa partinë fituese të zgjedhjeve.

Kurti kishte deklaruar ditë më parë për TV Dukagjini, se në momentin që Thaçi e mandaton një subjekt tjetër politik për formimin e qeverisë duke e anashkaluar Vetëvendosjen si parti fituese, ai do ta mbledhë ekipin e tij ligjor dhe do të përgatisë lëndën për Gjykatën Kushtetuese.

“Këtë zbrazëtirë kushtetuese nuk mund ta mbushë presidenti”, ka deklaruar Kurti.

LDK pret rastin – zotohet të shfuqizojë reciprocitetin ndaj Serbisë

Përderisa Kurti dhe Vetëvendosje deklarojnë se po presin që të kalojë pandemia dhe më pastaj të vendoset për qeverinë e re, Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia e dytë e dalë në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, 2019, është shprehur e gatshme të formojë qeverinë e re, sipas formulës në të cilën pjesë e koalicionit qeverisës do të ishin edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe pakicat.

Pasi që paraprakisht kishte marrë mbështetjen nga Këshilli i Përgjithshëm për formimin e koalicionit qeverisës, pa Vetëvendosjen dhe PDK-në, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka mbledhur kryesinë e kësaj partie. Mustafa tha se në takim është theksuar se kjo parti politike do të shfrytëzonte rastin për formimin e qeverisë, por vetëm nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon ta bëjë një gjë të tillë.

“Nëse përmbushen kushtet kushtetuese dhe na ofrohet e drejta kushtetuese që ta bëjmë qeverinë, ne si LDK do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Mustafa tha po ashtu se qeveria që do të udhëhiqej nga LDK-ja, do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së ambasadorit Grenell për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, por duke e mbajtur si opsion për kthimin në fuqi të kësaj mase, “nëse Serbia nuk i heqë të gjitha pengesat ndaj Kosovës”.

Rreth nismës që po diskutohet në LDK, kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se ajo, edhe pse i takon kësaj partie politike, nuk është e informuar se çfarë po ndodhë dhe si po planifikon LDK-ja që ta formojë qeverinë e re.

“Jam tërësisht e painformuar. Unë sapo e dëgjova që qenka edhe një takim tjetër sot lidhur me këtë përpjekje në të cilën unë nuk jam ftuar, por që nuk është asgjë e re ka një kohë të gjatë edhe para mocionit, kishte shumë takime që nuk isha ftuar, nuk jam konsultuar dhe besoj që edhe ju (gazetarët) mund të keni më shumë informata”, tha Osmani e cila ishte kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Ndërkaq, nënkryetari i kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se qeveria aktuale nuk është e aftë të merret me çështjet si menaxhimi i situatës me pandeminë e as me punët tjera, por njëkohësisht tha se PDK nuk do ta mbështesë as qeverinë që LDK-ja po synon ta formojë.

“Absolutisht jo, ne nuk e votojmë asnjë qeveri që nuk e udhëheqë Partia Demokratike e Kosovës. Krejt e kanë votën kundër”, tha Krasniqi.

Bazuar në krejt këto paqartësi, njohësit e zhvillimeve politike presin që shumë shpejt çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Qeveria e Kosovës, e formuar mbi bazën e koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u votua në kuvend më 3 shkurt. Por, ende pa i mbushur dy muaj, partitë nuk arritën të vazhdojnë koalicionin, çka u pasua me mocionin e mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike te Kosovës dhe të votuar edhe nga opozita, më 25 mars, 2020.

Që nga atëherë, Qeveria e Kosovës, sipas Kushtetutës është në dorëheqje, përkatësisht në detyrë./REL

 

Fraksion.com