AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: 37 raste të reja me koronavirus ; Shkon në 598 numri i përgjithshëm

Në Kosovë u konfirmuan të hënën edhe 37 raste të reja me koronavirus.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në total janë kryer 353 teste.

“Është inkurajuese se nga disa komuna, si Malisheva, Ferizaj dhe Suhareka, si vatra të infeksionit për disa ditë, sonte nuk ka asnjë rast”, tha Vitia përmes një postimi në Facebook, duke iu bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Vitia po ashtu bëri të ditur se 21 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

Shifrat e njëjta u konfirmuan edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Sipas tij, numri total i të infektuarve me koronavirus aktualisht është 598, ndërsa i të shëruarve 123.

Pesëmbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën, përfshirë këtu dy raste të vdekjes nga Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe një nga Komuna e Leposaviqit, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Sipas tyre, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

 

Fraksion.com