AktualitetBota+Të fundit

De Blasio: Do të duhen javë që Nju Jorku të rihapet

De Blasio, qyteti i të cilit është në epiqendrën e krizës së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, tha se Nju Jorku duhej të bëjë qindra mijëra testime në ditë dhe të shohë rënie të mëtejshme të shtrimeve në spital, para se të rihapë ekonominë.

“Ne mund ta arrijmë këtë, por nuk mund ta bëjmë pa testime masive dhe deri tani qeveria federale ende nuk po e zgjidh dot”, tha de Blasio në programin “Morning Joe” të televizionit MSNBC. Ai shtoi se heqja e distancimit fizik shumë shpejt mund ta rigjallërojë virusin.

“Veçanërisht qeveria federale, – tha ai, – duhet të kuptojë se kjo gjendje nuk ka marrë fund dhe nëse pretendoni se ka marrë fund, ajo do të kthehet përsëri si bumerang dhe do ta përkeqësojë atë.”

Paralajmërimi i zotit De Blasio për testimet u bënte jehonë komenteve të disa guvernatorëve gjatë fundjavës, të cilët iu kundërvunë pohimeve të Presidentit Donald Trump se ata kanë teste të mjaftueshme për koronavirusin.

Shtetet e Bashkuara kanë deri tani numrin më të madh në botë të rasteve të konfirmuara me koronavirus, më shumë se 750,000 të infektuar dhe mbi 40,500 të vdekur, rreth gjysma e tyre në shtetin e Nju Jorkut.

Udhëzimet e Presidentit Trump për të rihapur ekonominë rekomandojnë që shtetet t’i heqin gradualisht kufizimet pasi të kenë një rënie të infektimeve përgjatë një periudhe 14 ditore.

Megjithatë presidenti duket se po i inkurajon protestuesit që kërkojnë një rihapje më të shpejtë. Të premten ai postoi një seri komentesh në Twitter, ku u bënte thirrje protestuesve të “ÇLIROJNË” Miçiganin, Minesotën dhe Virxhinian, shtete këto të drejtuara nga guvernatorë demokratë.

Rreth 2,500 njerëz u mblodhën në kryeqytetin e shtetit Uashington, Olimpia, për të protestuar kundër urdhrit të guvernatorit demokrat Jay Inslee për të qëndruar në shtëpi, njëra nga disa protesta të zhvilluara atje.

Banorët në Florida u lejuan të kthehen në disa plazhe pasi guvernatori Ron DeSantis miratoi zbutjen e disa kufizimeve.

Charlie Latham, kryetar i bashkisë së qytetit Jacksonville Beach, tha se fundjava e parë e rihapjes së plazhit me orë të kufizuara shkoi mirë, pa arrestime të njerëzve që shkelin rregullat e distancimit fizik, ku përfshihen ndalimi i shezlongjeve ose batanijeve.

“Mendojmë se publiku është i gatshëm të ruajë standardet e distancimit fizik dhe të përdorë arësyen. Dhe kjo dha rezultat, një rezultat mjaft të mirë,” tha kryebashkiaku Latham për Fox News./voa

 

Fraksion.com