Balla: Parlamenti Europian mbështet aspiratën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përshëndetur vendimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), i cili miratoi sot Raportin e Parlamentit Europian mbi Rekomandimet për Këshillin, Komisionin dhe zëvendëspresidentin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Siguri në Ballkanin Perëndimor përpara Samitit të vitit 2020.
Raporti rekomandon ndër të tjera të sqarohen kriteret për përparimin në rrugëtimin drejt BE-së, si dhe të sigurohet mbështetje e vazhdueshme gjatë gjithë procesit të negociatave.
Në dokument gjithashtu sugjerohet rritja e bashkëpunimit midis Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve kandidate. Për të siguruar që reformat në vendet kandidate të jenë të qëndrueshme, mekanizmi i kushtëzimit duhet të forcohet në mënyrë që procesi i negociatave bazuar në kritere objektive të mund të pezullohet edhe në rast mosrespektimi.
Balla deklaroi se Parlamenti Europian po mbështet fuqishëm aspiratat tona për në BE, duke na vlerësuar mbi një proces meritokratik.
“Falënderojmë Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian për Rekomandimet për Ballkanin Perëndim përpara Samitit të BE-së për vitin 2020. Parlamenti Europian mbështet fuqimisht aspiratat tona drejt BE-së, të vlerësuara të bazuar në meritë dhe tregues të qartë dhe të parashikueshëm”, është shprehur Balla.
Fraksion.com