AktualitetKosovaTë fundit

Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për mënjanim të politikës në kohë të koronavirusit

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedentë shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Deklarata e këtyre zyrtarëve vjen në ditën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se javën e ardhshme do të ndërmarrë të gjithë hapat kushtetutes për të mundësuar formimin e qeverisë së re “me legjitimitet të plotë nga parlamenti, që do të luftojë sëmundjen Covid-19 dhe do t’iu shërbejë qytetarëve”.

“Tarifat dhe reciprociteti duhen të hiqen në mënyrë që të forcohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për Kosovën”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ndërkohë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se sapo të hiqen masat e tarifave dhe reciprocitetit “dialogu do të fillojë seriozisht”.

Sipas Grenellit heqja e këtyre masave mbase mund të ndodhë “këtë javë”.

“Kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për ta bërë të qartë se ata duhet të fillojnë të krijojnë besim sot në përgatitje të tij dhe ata janë të përkushtuar për ta bërë këtë gjë”, ka thënë ai përmes një postimi po ashtu në Twitter.

Kosova, sikur shumica e vendeve në botë është duke u përballur me koronavirusin e ri, nga i cili janë infektuar 510 persona, derisa 12 pacientë kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

 

Fraksion.com