AktualitetBota+Të fundit

Francë, rritet në 19.718 numri i vdekjeve nga COVID-19

Franca ka raportuar 395 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus në vend është rritur në 19.718.

Në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri Edouard Philippe dhe ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, njoftuan një rritje të rasteve të konfirmuara nga koronavirusi, gjegjësisht me 784 infektime të reja, duke e çuar në 112.606 numrin e përgjitshëm të të infektuarve në vend.

Autoritetet shëndetësore franceze njoftuan se në 24 orët e fundit 231 vdekje u regjistruan në spitale, ndërsa 164 në shtëpi pleqsh. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në spital është 12.069, ndërsa në shtëpi pleqsh 7.649.

Numri i pacientëve të shëruar po ashtu është rritur në 30.639, me 29 pacientë të shëruar në 24 orët e fundit.

“Situata po përmirësohet gradualisht, ngadalë, por në mënyrë të sigurt”, tha Philippe.

Në Francë, masat e izolimit dhe distancimit shoqëror do të mbeten në fuqi derisa bllokimi aktual të përfundojë më 11 maj. Philippe dhe Veran theksuan se ende duhet të tregohet një kujdes ekstrem.

“Të imagjinosh se epideminë e kemi lënë pas do të ishte një gabim”, tha Philippe.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të prekurve nga ky virus ka tejkaluar shifrën 2.3 milionë, me rreth 163 mijë të vdekur dhe rreth 609 mijë të shëruar.

 

Fraksion.com