Erdogan dhe Trump pajtohen për të bashkëpunuar në mes të pandemisë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, janë pajtuar për të bashkëpunuar kundër pandemisë globale të koronavirusit të ri (COVID-19) dhe efekteve të këtij virusi.
Drejtoria turke e Komunikimeve njoftoi se në një bisedë telefonike, Erdoğan dhe Trump diskutuan marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet rajonale.
Sipas njoftimit, Erdoğan dhe Trump u pajtuan që kundër kërcënimit të paraqitur nga shpërthimi i koronavirusit të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në shëndetin publik dhe në ekonominë e të dy vendeve, si kërkesë të “frymës së solidaritet” të Aleancës së NATO-s.
Autoritetet turke të shëndetësisë së fundmi njoftuan se numri i vdekjeve nga koronavirusi në vend arriti në 2.017, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në 86.306.
Ndërkaq, autoritetet amerikane të shëndetësisë njoftuan se numri i vdekjeve nga koronavirusi vend ka arritur në 39.135, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në 737.319.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të prekurve nga ky virus ka tejkaluar shifrën 2.3 milionë, me rreth 163 mijë të vdekur dhe rreth 609 mijë të shëruar./AA
Fraksion.com